Ndryshon ligji për lojërat e fatit, Ministria e Financave fillon konsultimet

Aktualitet | 4 vite më parë

Qeveria shqiptare i ka kërkuar Kuvendit të ndryshojë ligjin “Për lojërat e Fatit në Republikën e Shqipërisë”. Sipas qeverisë, qëllimi kryesor i nismës ligjore është rikthimi i kategorisë së Basteve Sportive, vetëm në formën Online, me qëllim formalizimin e tregut të lojërave të fatit për këtë kategori loje, duke licencuar subjekte të cilat kanë eksperincë në ushtrimine aktivitetit baste sportive.

Ekzekutivi shqiptar kërkon të garantojë të ardhurave të mbledhura nga aktiviteti i basteve sportive online për mbështetjen direkte në fushën e sportit, kulturës, inovacionit dhe teknologjisë së inovacionit, por dhe financimin e programeve të mbrojtjes së lojtarit.

Sakaq Ministria e Financave, nën kujdesin e zëvendësministres Vasilika Vjero, ka hapur tryezën e diskutimit me përfaqësuesit e Federatave Sportive mbi këtë draft të qeverisë.  Zëvendësministrja Vjero iu tha të pranishmëve në tryezën e thirrur prej saj se projekti i qeverisë rikthen bastet sportive në formën online, duke kërkuar të nxisë formalizimin, të garantojë të ardhura si dhe t’i rishpërndajë këto të fundit në funksion të sportit, inovacionit, teknologjisë dhe programe për mbrojtjen e lojtarit !

Radio Televizioni Shqiptar disponon të plotë ndryshimet ligjore të kërkuara nga qeveria shqiptare.

Sipas këtyre ndryshimeve  për krijimin e garancive për fituesit e lojërave të fatit, organizatori i kategorisë “Baste sportive online” është i detyruar të ngurtësojë një fond prej 120 milionë lekësh, në një llogari të veçantë bankare, në favor të Ministrisë së Financave, i cili zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit përgjegjës për financat.

Do të krijohet gjitahshtu një fondit të posaçëm për mbështetje direkte në fushën e sportit, kulturës, inovacionit dhe teknologjisë së inovacionit, duke licencuar subjekte të cilat kanë eksperincë në ushtrimin e aktivitetit baste sportive, jo vetëm brënda vendit, por dhe ndërkombëtare.

Deri në vitin 2018 kanë ushtruar veprimtarinë në kategorinë e “Basteve Sportive” tre kompani të cilat ishin licencuar për një afat 10 vjeçar në këtë kategori loje. Sipas të dhënave të AMLF numri i pikave sekondare të ushtrimit të aktivitetit për kategorinë e Basteve Sportive në vitin 2018 ka qënë 4214 në te gjithë teritorin e vendit, ndërsa numri i të punësuarve për këtë kategori ka qenë 6700 punonjës.

Me ndryshimet ligjore te vitit 2018 u përcaktua se organizatorët e kategorive “baste sportive”, “baste për garat në pistë” dhe “lojërat elektronike në distancë” nga shoqëri vendase apo të huaja do të ushtronin aktivitetin e tyre deri në datën 31 dhjetor 2018.

Edhe pse aktiviteti i Basteve Sportive u ndalua me ligj ky aktivitet u kanalizua të ushtrohej në të zezë. Nga ana e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit në vitet 2019 deri 2022, janë ushtruar në total 1421 kontrolle, nga ku janë realizuar konfiskime, procedime penale dhe masa administrative me gjobë për 135 subjekte dhe individ që operonin në mënyrë të jashtëligjshme në tregun e lojërave të fatit.

Ligji i ri është në konsultim publik deri në datën 4 Maj 2023.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme