Në ndjekje të adrenalinës, emocionet e hedhjes me parashutë nga qielli i Gjirokastrës

Qetësinë e qiellit të Gjirokastrës këto ditë e kanë trazuar uturimat e avionëve të vegjel sportivë, por magjinë ia kanë shtuar parashutistët që kërkojnë e shijojnë adrenalinën e hedhjes nga avioni.
Kamera e RTSH është ngjitur bashkë me ta në avion, në 4000 metra lartësi për të ndjekur pikërisht këto emocione, që për ne i përcolli Emi.
“Jam shumë e emocionuar, e kam shumë qejf dhe duhet ta provoj. Duhet të hidhesh pa e menduar dy herë” është shprehur e emocionuar Emi.
Tek Emi që sapo ka përfunduar hedhjen dhe ka prekur token tani fjala e urtë popullore “ Sikur ke rënë nga qielli”, gjen vend më shumë se kurrë. Emocionet e përziera me adrenalinë e aventurë bashkë ia shtojnë forcën.
“Shumë emocionuese por ja vlente, ja këshilloj të gjithëve këtë eksperiencë të mrekullueshme, pamja ishte fantastike dhe çdo gjë tjetër. Në disa momente je tërësisht e lirshme dhe je duke fluturuar” tha Emi.
Parashutizmin ajo e ka provuar edhe më parë nga Llogaraja dhe adrenalinën në vena e këshillon si diçka që të gjithë duhet ta provojnë.
Për organizatorët e aktivitetit këtë sezon duhet vlerësuar pjesëmarrja gjithnjë e në rritje e parashutistëve dhe se këto aktivite e bëjnë Gjirokastrën dhe turizmin e saj më të njohur e të vizitueshëm.
Për bashkinë Gjirokastër Aerodrimi i Gjirokastrës, pilotët dhe parashutistët që vijnë po e bëjnë qytetin edhe më turistik edhe me relaksues.
Të shohësh Shqipërinë nga qielli, është një nga përvojat më mbresëlënëse. Peizazhet e pafundme të detit, qiellit, maleve e luginave të mrekullueshme, e bëjnë parashutizmin një nga sportet ekstreme më të preferuara në vend.
Gazetare: M. Mëhilli
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




