Në pritje të Festivalit Folklorik Kombëtar, Margariti: Festa e të gjithëve, do kemi 400 shqiptarë të diasporës

Kulturë | 3 vite më parë

Festivali Folklorik Kombëtar kthehet sot pas 8 vitesh në Gjirokastër, duke premtuar 1 javë argëtim në qytetin e gurtë. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka treguar për RTSH 24 surprizat e këtij Festivali që e konsideroi një festë të mbarë shqiptarëve.

Margariti bëri me dije se përveç artistëve të qarqeve, të pranishëm do të jenë edhe 400 shqiptarë të diasporës që vijnë nga SHBA, Zvicra e sigurisht edhe nga Italia.

Sipas Ministres, dy elementë që e bëjnë të veçantë këtë Festival është rikthimi i një repertori që mendohej i humbur dhe numri i lartë i të rinjve që do të ngjiten në skenë.

“Është festa e mbarë shqiptarëve, nuk do kemi vetëm artistët e qarqeve. Do kemi 400 shqiptarë të diasporës që vijnë nga SHBA, Zvicra, do jetë një festë e bukur ajo e arbëreshëve. Do ketë edhe më shumë turizëm patjetër. Më tepër se një festë e folklorit do jetë edhe një model shumë i mirë për të kuptuar sesi nëpërmjet të bukurës së shqiptarisë bëhet edhe ajo rritja ekonomike. Kemi shumë aktivitete të tjera, e rëndësishme është që gjatë ditës turistët mos të presin darkën për t’u ngjitur në kala. Aktivitete janë pafund, kemi një kalendar të mirë programuar. Është një festë që fillon në orët e para të mëngjesit dhe vijon deri në mëngjesin tjetër. Kemi gjetur një numër shumë të lartë të rinjsh që do hipin në skenë. Rikthimi i një repertori që e mendonim të humbur dhe bashkimi i të rinjve, janë dy elementë shumë të bukur”, tha Margariti.

Në natën e sotme do të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, së bashku me familjen e tij teksa kjo natë e parë, siç tha ministrja do të çelet me një moment pak më protokollar.

“I pranishëm do jetë kryeministri, do kemi plot ambasadorë nga vendet e ndryshme, do kemi drejtuesit e qarqeve e bashkive. Do kemi të ftuar edhe artistë të tjerë. Sot e çelim edhe me një moment pak më protokollar”, u shpreh Ministrja.

Festivali do të nisë në orën 19:00, ndërsa hyrja do të jetë e lirë në të gjitha ditët.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme