Negociatat për Presidentin, Rama: Nëse PD zgjedh në krye Berishën, ne ndërpresim çdo marrëdhënie

Politikë | 5 vite më parë

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Kuvend pasi ka ironizuar ankesën e Jorida Tabakut lidhur me ujin e çezmës në Tiranë që nuk është i pijshëm, u ndal dhe te procesi për zgjedhjen e presidentit të ri.

Rama tha se PS ka qenë gjithnjë partia që është përpjekur më shumë të gjejë dakordësi dhe kështu do ndodhë dhe me zgjedhjen e presidentit të ri. 

Kryeministri theksoi se nëse PD zgjedh në krye Sali Berishën, ata do të ndërpresin çdo marrëdhënie. 

“Meqë zonja Tabaku foli për ujin e Tiranës që askush nuk e pi nga çezma sepse mund të helmohet, meqë si dëshmitar i zonjës Tabaku e ndjej për detyrë, sot me tu kthyer në shtëpi do pi ujë nga çezma dhe jam i gatshëm që nëse zonja Tabaku do më presë në shtëpinë e saj të shkoj të pi dhe aty ujë nga çezma dhe do ta bëj video dhe do ta hedh në Tik Tok.

Dua të flas për diçka të rëndësishme dhe që është shumë afër, që është zgjedhja e Presidentit të Republikës. Dhe dua ta filloj që kur ishte gjallë Saliu. Kur Saliu ishte gjallë më kujtohet që u zhvillua këtu në Kuvend një proces që në fund çoi në zgjedhjen e njëanshme të Bamir Topit.

Ne kemi ngritur një përfaqësim të përbërë nga kryetari i grupit tonë parlamentar, nga sekretari i përgjithshëm, nga ministrja për marrëdhënie me parlamentin, për të komunikuar me të gjithë pjesët e këtij Kuvendi. Kjo është ADN-ja e PS.

Qysh në krye të herës po të shohësh historinë e marrëdhënieve politike ndërkombëtare të këtyre 30 viteve, do të shohësh pa shumë mundim se PS ka qenë  gjithmonë partia që ka lëshuar më shumë, që është përpjekur më shumë të gjejë dakordësi. Dhe ne sërish do ta bëjmë këtë përpjekje sepse e kemi detyrim ndaj vetes në radhë të parë, e kemi detyrim ndaj njerëzve që na kanë zgjedhur dhe nuk na kanë zgjedhur, detyrim ndaj vendit që ti japim mundësinë për një president që nuk duhet të jetë një nga ne që jemi këtu, nga ju jo e jo. Ne me Saliun nuk kemi punë, për ne është i vdekur. Nëse PD zgjedh në krye Berishën, ne ndërpresim çdo marrëdhënie”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme