Netanjahu i vendosur për mësymjen ushtarake në qytetin e Rafahut në Gazë

Botë | 3 vite më parë

Izraeli vazhdon t’i qëndrojë planin ushtarak për të hyrë në qytetin jugor të Gazës, në Rafah, ku po strehohen miliona refugjatë palestinezë të shpërngulur nga lufta disamujore Izrael–Hamas.

Kryeministri Benjamin Netanjahu (o. Netanyahu) e bëri të qartë këtë synim me një dalje televizive të shtunën mbrëma. “Do ta bëjmë,” deklaroi kreu i qeverisë izraelite.

Palestinezët që qeverisin në Gazë thonë se një ofensivë në Rafah mund të rezultonte fatale për dhjetëra mijëra banorë. Sipas ministrit të Jashtëm britanik, David Kameron (o. Cameron) “gjysma e popullsisë së Gazës ka gjetur strehim në këtë zonë”.

Sipas liderëve të Hamasit, plani i palës izraelite rrezikon të anulojë edhe një pakt të mundshëm për lirimin e më shumë se 200 pengjeve të marra gjatë ditës së parë të sulmit të militantëve në territorin e Izraelit, më 7 tetor 2023.

Të dielën, Ministria e Shëndetësisë në Gazë raportoi për 112 palestinezë të tjerë të vrarë nga ushtria kundërshtare, duke e çuar bilancin në mbi 28 mijë viktima pas katër muajsh përplasjeje.

Të shtunën, kryeministri Netanjahu urdhëroi ushtrinë e tij që të përgatitet për të evakuar qytetarët nga qyteti i Rafahut para se të nisë ofensivën kundër Hamasit, pasi “fitorja është shumë pranë… dhe do të ndalim edhe batalionet e fundit terroriste të Hamasit në Rafah”.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar Izraelin se pushtimit i Rafahut do të ishte një “katastrofë”, ndërsa BE-ja dhe OKB-ja kanë shprehur shqetësimet e tyre. /BBC

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme