Nga “BESA” te “Shkalla e Meritës”/ Rama mbledh ministrat dhe grupin parlamentar të PS: Duhet të mbyllim hendekun me qytetarët

Politikë | 2 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të enjte ministrat dhe grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ku ka folur për fazën e re politike dhe nevojën për të ndryshuar mënyrën e komunikimit mes shtetit dhe qytetarëve. Në fjalën e tij, Rama u ndal te projektet e reja të komunikimit të qeverisë, duke përmendur “Prania Besnike”, “BESA”, “Pasqyrë Albania” dhe “Shkalla e Meritës”. Ai tha se këto iniciativa nuk duhet të shihen thjesht si platforma komunikimi apo mjete propagandistike, por si pjesë e një reforme më të gjerë në marrëdhënien qytetar-shtet.Sipas kryeministrit, hendeku mes qeverisë dhe qytetarëve nuk mund të mbyllet vetëm përmes fushatave të komunikimit, por kërkon ndryshime konkrete në mënyrën se si funksionon shteti. Rama tha se reforma duhet të fokusohet në katër çështje kryesore: mënyrën se si shteti e identifikon dhe trajton një problem, mënyrën se si shumica qeverisëse dëgjon qytetarët, respektimin e premtimeve dhe vendimeve të marra, si dhe garantimin e aksesit në shërbimet publike mbi bazën e meritës.

“Pasqyrë Albania” është një portal tjetër; “Prania Besnike”, “BESA”. Në fakt, nga një anë më vjen mirë që çfarë kemi bërë në këtë fazë përgatitore të sezonit të ri politik ka ngjallur interes dhe kundërshtitë apo etiketimet janë një nga shenjat e interesit, por shqiptarët nuk kanë nevojë për një aplikacion tjetër që i shtohet xhunglës digjitale. Hendeku i hapur mes nesh dhe njerëzve të Shqipërisë së rilindur nuk mbushet me një fjalë, sado të madhe si “BESA”.

Mbi të gjitha, hendeku real, për të cilin kemi folur mjaftueshëm dhe të cilin tani është koha të fillojmë së bashku ta mbushim. Mes nesh dhe njerëzve nuk mbushet me thjesht dhe vetëm një fushatë komunikimi”, deklaroi Rama.

Kryeministri deklaroi se gjatë dekadës së fundit është bërë një transformim i gjerë i organizimit shtetëror, por sipas tij ende mbeten disa probleme të rëndësishme që duhet të adresohen. Rama veçoi tri “plagë” që, sipas tij, ushqejnë njëra-tjetrën. E para lidhet me një shtet që qytetari e përjeton si një “labirint”, ku shpesh nuk është e qartë se kush duhet të japë përgjigje dhe kur duhet të zgjidhet një problem. E dyta është mungesa e memories institucionale. Rama theksoi se shpesh vendimet merren, premtohet dhe flitet për çështje të ndryshme, por mungon një regjistër i qartë që tregon se çfarë është bërë, çfarë nuk është bërë dhe çfarë ka ndryshuar gjatë rrugës.

“Ne, në një dekadë, kemi kryer një operacion të gjerë dhe të thellë, jo uniform në të gjithë komponentët e vet, të organizimit shtetëror të Shqipërisë. Por sot ne duhet të ndeshemi me tri plagë që ushqejnë njëra-tjetrën: plaga e shtetit në labirint, ku qytetari nuk di kur dhe kush duhet t’i përgjigjet; mungesa e memories institucionale (premtohet, flitet, vendoset, por nuk mbahet regjistër llogarish të shkuara për atë që u bë, nuk u bë apo që ndryshoi rrugës)”, u shpreh ai, duke argumentuar se mungesa e saj i kushton si shtetit, ashtu edhe qytetarit.

Plaga e tretë, sipas Ramës, lidhet me atë që ai e cilësoi si “dera që nuk duket” – ndjesinë e përhapur se për një mundësi, njohja mund të vlejë më shumë se merita dhe fati më shumë se ligji. Në këtë kuadër, kryeministri kërkoi që faza e re politike të shoqërohet me një qasje të re në marrëdhënien mes institucioneve dhe qytetarëve, duke e vendosur meritën, përgjegjshmërinë dhe komunikimin efektiv në qendër të reformës së shtetit.

“Memoria institucionale nuk është protokolli i institucionit, por shumë më tepër se kaq. Mungesa e kësaj memorie i kushton shtetit dhe qytetarit. E treta: plaga e derës që nuk duket, të cilën e sheh dhe mund ta prekësh te ndjenja, shpeshherë e drejtë, e çdo njeriu në Shqipëri, që për një mundësi njohja vlen më shumë se merita dhe fati vlen më shumë se ligji”, theksoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme