Nga prilli kërkesa për rimbursimin e TVSH do dorëzohet vetëm online

Nga prilli 2021 tatimpaguesit kërkesën për rimbursimin e TVSH do të mund ta paraqesin vetëm online. Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj në një takim me bizneset anëtare të Dhomës Amerikane të Tregtisë tha se pritet të ketë ndryshime në rregulloren e rimbursimit të TVSH-së.
Problematika në procesin e rimbursimit u paraqit nga përfaqësuesja e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Alketa Uruçi. “Në pandemi tatimpaguesit kanë pasur komunikim online administratën tatimore, por kur ka ardhur puna për kompensimin e TVSH-së, nga administrata tatimore shkresat nuk janë pranuar online është kërkuar që ato të dorëzohen fizikisht. Mendojmë se për këtë çështje duhet më shumë fleksibilitet.
Kreu i Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj pohoi se stoku i TVSH është duke u reduktuar dhe procesi shumë shpjet do të automatizohet. Fillimisht do të shkurtohet 10 ditë afati i procesit.
“Në muajin prill pritet që kërkesa për rimbursimin e TVSH-së të bëhet vetëm online. Ndryshime do të ketë edhe në rregulloren për lehtësimin e procedurave. Automatizimi i rimbursimit do të bëjë që procesi të jetë më shpesh i kontrollueshëm prej nesh, për sa i përket respektimit të afateve prej 30 dhe 60 ditësh. Do të shkurtohet 10 ditë koha e procesit nga depozitimi i kërkesës deri te disbursimi i TVSH-së.
Të vetmit që do të kenë ende vonesa do të jetë për tatimpaguesit e mëdhenj që kanë nënshkruar marrëveshjen e rimbursimit me këste për shumat mbi 150 mln lekë. Brenda 2021 do të shlyhet detyrime për këta tatimpagues të mëdhenj.
Nga gjysma e dytë e vitit do të fillojmë të punojmë me problemet që u ngritën nga ju. Automatizimi i procesit, gjithashtu do të sjellë që të bëhet saktësimi i menjëhershëm nëse TVSH-ja e rimbursuar do të paguhet apo do të llogaritet si detyrime. Mashtrimi dhe evazioni fiskal ka bërë që çdo hap që bëjmë të jetë i mirë menduar dhe të vërehen efektet, por synojmë që shumë shpjet kjo procedurë të jetë automatike”.
Nga Dhoma Amerikane e Tregtisë u kërkua edhe ndryshimi i udhëzimit për marrëveshjet tatimore, për shmangien e tatimit të dyfishtë. “Vendet e tjera mjaftohen vetëm me marrjen e certifikatës të rezidentit. Te ne duhet të behet marrëveshje me administratën tatimore”, pohoi znj. Uruçi. Drejtoresha e Tatimeve, Ibrahimaj tha se këtë vit do të lehtësohet procedura e lëshimit të certifikatës për taksimin e dyfishtë.
Shqetësim tjetër i ngritur nga biznesi ishte edhe vonesat e kontrollit nga administrata tatimore për tatimpaguesit që çregjistrohen në QKB.
Në korrik nis faza e dytë e procesit të fiskalizimit për bizneset që kryejnë transaksione pa para në dorë mes tyre. Ne takimin e zhvilluar anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë kërkuan që tatimet të intensifikojnë trajnimet për tatimpaguesit për procesin e lëshimit të faturave elektronike.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




