Ngjitje në malin e Taraboshit – Alpinistët nga Kosova u ngjitën deri në majën e Golishit

Udhëtimi në mal dhe ngjitja në lartësi është e shoqëruar me ndjenjën e adrenalinës për personat që dashurojnë natyrën e egër. Mali i Taraboshit është një mundësi e mirë për ta përjetuar atë. Kështu zgjodhën të bënin një grup bjeshkatarësh nga Kosova nën udhëheqjen e guidës nga klubi “Taraboshi Shkodër” Lodovik Zefi.
Ngjitja zgjati gati 3 orë. Ajo nisi nga ura e Bunës (monument kulture) deri në majën e Golishit në Tarabosh, malit me një lartësi prej 651 m që gjendet në skajin jugperëndimor të liqenit të Shkodrës.
Shkodra nga kjo pikë shikohet si në pëllëmbë të dorës, së bashku me liqenin e saj, më i madhi në Ballkan ndërsa nga e njëjta pikë në majën e Taraboshit mund të shikosh edhe detin Adriatik. Veç ajrit të pastër, mbushur me oksigjen, panorama duket e mrekullueshme nga kjo lartësi.
Niveli i vështirësisë nga pikënisja në majë konsiderohet i përballueshëm nga të gjithë. Andi nga Peja është 12 vjeç dhe ai nuk e pati aspak të vështirë ngjitjen.
“Nuk është hera e parë pasi kam ngjit male edhe herë të tjera, por në Shqipëri është hera e parë. Eksperienca ishte shumë e bukur”, u shpreh djali.
Peizazhi i larmishëm malor, me kalime në sfond nga ai lumor dhe liqenor në atë fushor dhe kodrinor e bëjnë malin e Taraboshit të preferuar për ngjitje nga dashamirësit e natyrës.
RTSH
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



