Nikolla në Berlin, pritet nga Presidentja e Bundestagut: Shqipëria i ka plotësuar kushtet për integrimin

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Berlin, ndërsa paraditen e sotme u prit nga Presidentja e Bundestagut.
Presidentja Barbel Bas dhe Nikolla diskutuan mbi ecurinë e bashkëpunimit dypalësh e parlamentar, procesin e integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, bashkëpunimin rajonal dhe ndikimin e luftës në Ukrainë në Ballkanin Perëndimor.
Nikolla nënvizoi se Shqipëria dhe Gjermania kanë një bashkëpunim të shkëlqyer politik.
“Kontributi i Gjermanisë përmes granteve, kredive të buta dhe asistencës teknike në sektorët e energjisë, infrastrukturës, zhvillimit të qëndrueshëm, mjedisit, arsimit profesional etj., është një burim i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë. Ne e vlerësojmë shumë lart angazhimin dhe mbështetjen e Gjermanisë në rrugën tonë drejt BE-së, si një nxitëse e përkrahëse e fortë e hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Jemi të bindur që kjo mbështetje do të vazhdojë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare brenda Presidencës Franceze të BE-së. Qasja e zgjerimit e mbështetur në merita, si për vendet aspirante, ashtu edhe për vendet anëtare, duhet të ndajë problemet dypalëshe nga korniza e negociatave me BE-në”, tha Nikolla.
Nikolla u ndal edhe te arritjet e Shqipërisë në plotësimin e rekomandimeve të KE dhe të Bundestagut, duke përmendur në reformën në drejtësi, reformën zgjedhore, luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit e reformën e administratës publike.
“Bashkimi me familjen evropiane është një dëshirë mbarëpopullore. Është e rëndësishme që BE dhe vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkëpunojnë që procesi i integrimit të përshpejtohet për të shmangur influencat joperëndimore dhe jodemokratike në rajon. Me kthimin e opozitës në Kuvend veprimtaria parlamentare është normalizuar. Unë po bëj çmos që opozita të ketë hapësirat, rolin dhe zërin e saj në Kuvend sepse opozita e fortë është premisë për një qeverisje të shëndetshme, për rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe kontrollit parlamentar”, u shpreh Nikolla.
Presidentja e Bundestagut u shpreh se Shqipëria i ka plotësuar kushtet dhe rekomandimet pë rprocesin e integrimit dhe se Konferenca e Parë Ndërqeveritare duhet të mbahet “me njëherë”. Ajo theksoi edhe njëherë mbështetjen e Gjermanisë ndaj vendit tonë në këtë proces.
“Shqipëria i ka plotësuar kushtet dhe rekomandimet për procesin e integrimit dhe Konferenca e Parë Ndërqeveritare duhet të mbahet menjëherë. Keni mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer të Gjermanisë, Bundestsgut dhe timen. Kur një vend i kryen detyrat, është detyra e BE-së të marrë menjëherë vendimin për mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare. Ju po vijoni me avancimin e reformave dhe qeverisjen e mirë dhe Bundestagu ju inkurajon të vazhdoni kështu. Bundestagu është gati të ndihmojë Kuvendin me ekspertizë për rritjen e transparencës, llogaridhënies, mbikëqyrjes parlamentare, funksionimit të komisioneve hetimore dhe modernizimit të shërbimeve parlamentare”, tha Presidentja e Bundestagut.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




