Nikolla pret van der Linden: Të rishikohet rezoluta për trafikimin e organeve në Kosovë!

Mbështetja e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe kërkesa Shqipërisë për shpalljen si të pazbatueshme të rezolutës që akuzon Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për trafikim organesh gjatë kohës së luftës, ishin fokusi i diskutimeve mes Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla dhe Presidentit të Nderit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, René van der Linden.
Sipas një njoftimi të parlamentit shqiptar Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla priti të enjten në një takim Presidentin e Nderit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, René van der Linden, i cili ndodhet për një vizitë në Tiranë.
Zonja Nikolla, ka vënë në dukje bashkëpunimin shumë të mirë të Kuvendit me Asamblenë Parlamentare të KiE, për konsolidimin e institucioneve demokratike, shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Ajo e ka vënë në dijeni zotin Van der Linden mbi përpjekjet dhe lobimin e deritanishëm të Shqipërisë në mbështetje të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe kërkoi edhe mbështetje në këtë proces.
Gjithashtu, Kryetarja Nikolla e vuri në dijeni Van der Linden mbi Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë “Mbi pazbatueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, përcjellë zyrtarisht Këshillit të Evropës, duke i kërkuar të rishikojë Rezolutën 1782 (2011), dhe të shpallë të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e fakteve e provave, në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë.
René van der Linden falënderoi Kryetaren Nikolla për takimin dhe vlerësoi kontributin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës dhe Asamblenë Parlamentare të kësaj organizate. Ai vlerësoi arritjet e Shqipërisë në thellimin e reformave, luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe korrupsionit, dhe nënvizoi se këto rezultate kanë mundësuar çeljen e negociatave dhe avancimin drejt BE-së.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




