Nis fushata e PS në sheshin “Skënderbej”, hapet me himnin e flamurit kombëtar

Partia Socialiste ka nisur zyrtarisht fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Fushata e PS ka nisur në sheshin “Skënderbej”, ku siç shihet në shesh janë vënë karrige me distancë, duke zbatuar masat anti-Covid. Fjalën e nisi e para kryesuesja e listës së Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës, Edona Bilali.
Bilali e nisi fjalën e saj me një kritikë për qeverinë, e cila sipas saj, nuk ka bërë aq sa duhet për Shkodrën. Ajo shtoi, se i është bashkuar familjes së madhe socialiste, për transformimin e Shkodër.
“Pranova sfidën, sepse e dua Shkodrën dhe kam dashur që politika të sillej më mirë me Shkodrën, e kam fjalën edhe për PS, sepse edhe ajo ka pjesën e saj të borxhit për këtë qytet.,. Shkodra është unike, i ka të tëra, lumin, liqenin, detin dhe malin. Ka ardhur koha të besojmë PS, për t’u bërë edhe Shkodra, si Korça, Vlora, që janë transformuar”, tha Bilali.
Ndërsa kandidati i PS për Dibrën, Lavdërim Krashi, i cili erdhi nga Londra, ku punonte në bashkinë e kryeqytetit britanik, tha se PS meriton mandatin e tretë, pasi sipas tij, pavarësisht të metave dhe gabimeve, ka shumë për të ofruar për Shqipërinë.
“Ne duam që një ditë të jemi në Shqipëri. E dimë të gjithë se sa bukur është ta thuash apo ta dëgjosh këtë, por e dimë se sa e vështirë është që Shqipëria jonë të bëhet shtëpia e të gjithë shqiptarëve. Por, siç thoshte Nënë Tereza jonë e madhe “Ndiz një qiri, në vend që të mallkosh”. Të gjithë ne duhet të punojmë, që ta bëjmë Shqipërinë vendin e shqiptarëve. Unë jam këtu për të kontribuar modestisht për Dibrën dhe gjithë Shqipërinë, në mënyrë që vendi im të bëhet vendi ynë, e ardhmja e fëmijëve të saj”, tha Krashi.
Aktori i njohur Petrit Malaj, kryesues i listës së qarkut të Kukësit për PS tha, se para se të pranonte propozimin e kryeministrit Edi Rama, i ka bërë vetëm një pyetje, të vazhdojë më tej zhvillimin e qarkut të Kukësit.
“Edi Rama më ftoi për të marrë pjesë në këtë skuadër, më ftoi për të përfaqësuar Tropojën. I kërkova vetëm një garanci, që ndryshimet që kanë ndodhur në Tropojë, Kukës, Has, do të vazhdojnë përsëri. Ai ma garantoi këtë gjë dhe unë mjaftohem me fjalën e tij sepse Edi është person i fjalës edhe i punës. Qarku i Kukësit do e votojnë Ramën sepse është i punës. Edhe unë do ia kërkoj votën për këtë njeri të punës. Këtu është mbledhur puna e të gjithë të rinjve, në pasionin e ambicien e ndryshimit të mëtejshëm të vendit tonë. Rama do e çojë Shqipërinë në një nivel tjetër. Ka shumë për të bërë, do vazhdojmë punën që Shqipëria të bëhet e ardhmja e fëmijëve tanë”, tha Malaj.
Kandidatja e PS në Elbasan, Evis Kushi, foli për ftesën që i është bërë nga kryeministri Edi Rama tetë vite më parë për t’u bërë pjesë e PS dhe punët e bëra në këto vite.
“Ftesën për t’u bërë pjesë e PS në skuadrën e Elbasanit e mora 8 vite më parë. I jam mirënjohëse Edi Ramës për këmbënguljen, se jo vetëm jam ndjerë e dobishme për komunitetin ku jetoj, por sëbashku kemi bërë shumë për qytetin ku jetoj. As në ëndrrat më të bukura nuk e kisha menduar që në 8 vite do bëhej më shumë se dhjetëra vite bashkë. Jam e lumtur që kemi ndihmuar nxënësit e mësuesit e Shqipërisë,” tha ajo.
Hatixhe Konomi, kryesuesja e listës së Partisë Socialiste për qarkun e Beratit, gjatë çeljes së fushatës elektorale të PS, tha se Berati është duke lulëzuar nën qeverisjen e të majtëve.
“Berati prej shumë kohësh nuk pati numrin e vizitorëve që priste. Teksa qyteti degradonte çdo ditë, nuk e shihnim dorën e shtetit. Berati vuajti dhe nga thundra e Metës dhe e LSI, sepse na la që të trashëgonim një pushtet lokal, që ishte fisnor, i kushërinjve dhe dembel. Por situata në Berat ka ndryshuar tërësisht, është një kantier ndërtimi që nuk duhet të ndalet. Ndërkohë turizmi është i ardhmja jonë, sektorë shumë të rëndësishëm janë duke u zhvilluar me hapa galoponte, siç janë strehimi, agroturizmi. Nuk mund të lë pa përmendur përmbytjet që ndodhnin në Urën Vajgurore, tashmë i përket të kaluarës. Nuk lë pa përmendur, shfrytëzimin që i është bërë Malit të Tomorit, i përket të kaluarës. Shumë punë janë bërë në Berat, por shumë janë për të bërë”, tha Konomi.
Erjon Braçe, i pari në listën e Fierit, e nisi me një lutje për të gjithë viktimat që ka shkaktuar COVID.
“Më shkoi shpirti te ata shqiptarë, gjyshër e gjyshë, prindër e të rinj që nuk ia dolën dot në një betejë që prej muajsh është beteja e gjithsecilit prej nesh. E nis fjalën time këtu me një lutje: Shpirti i tyre të prehet në paqe, por ne jemi të gjithë bashkë këtu për t’ia dalë edhe për ta. Në këtë betejë për jetën. Mandati i tretë nuk është trofe, është kontratë pune me secilin prej jush. Duhet shumë punë për të ndryshuar Fierin thonë, e di shumë mirë, prandaj do të çojmë të gjitha punët deri në fund. Qarku me ekonominë më të madhe bujqësore të vendit,” tha ai.
Bozo: PS do arrijë reforma dhe ndryshime më të mëdha se ato që janë bërë në këto 8 vjet! Jam e bindur në pjekurinë e popullit për të votuar
Kandidatja Luljeta Bozo ka deklaruar se në mandatin e 3 PS do ketë mundësi që të arrijmë reforma dhe ndryshime akoma më të mëdha se ato që janë bërë në 3 vjet.
“Në të ardhmen do kemi mundësi që të arrijmë reforma dhe ndryshime akoma më të mëdha që janë bërë në këto 8 vjet. Gjithë programi i PS është i bazuar në përllogaritje shumë të sakta në energjinë e pashtershme të rinisë dhe të grave tona, në energjinë e madhe që ka pupoll dhe besimin në një të ardhme më të mirë dhe më të ndritur. Jam e bindur në pjekurinë e popullit për të votuar këtë forcë politike e cila i ka vënë detyrë vetes të eliminojë 2 sfida shumë të vështira që është pandemia, vaksinimi dhe e dytë të shërojë plagët e tërmetit duke rilindur nga e para gjithë shqipërinë që u shkatërrua nga ajo forcë natyrore. Populli do ta votojë Ps sepse është i bindur që këto reforma që kanë nisur në të gjitha fushat”, tha ajo.
Ekonomi: Durrsakët kanë një fat të jashtëzakonshëm që kanë kandidat Edi Ramën
Kandidatja e PS në Durrës Milva Ekonomi në aktivitetin e çeljes së fushatës ka deklaruar se kryeministri Edi Rama kandidon për herë të parë në Durrës ku sipas saj do të vijë me një projekt si në Vlorë. Në këtë mandat Ekonomi thotë se do të përfundohet rindërtimi për të hequr çdo gjurmë të tërmetit duke sjellë një pranverë të begatë.
“Ne në Durrës kemi një fat të jashtëzakonshëm. Si asnjëherë në këto 30 vite kandidon kryeministri jonë Edi Rama. Në Durrës ai do të vijë me një projekt transformues, siç erdhi në Vlorë. Për të përfunduar rindërtimin për të hequr çdo gjurmë të tërmetit dhe për të pasur një pranverë të begatë. Unë dua të bjë një ape, të veçantë për të gjitha vajzat e Durrësit por edhe t ëShqipërisë. PS ka bërë shumë për të gjitha nënatpër gratë kryefamiljare, për gjyshet dhe do të bëjë shumë për çdo grua”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




