Nisin punimet për Poligonin publik të testimit për leje drejtimi, Rama: Do të shërbejë edhe për Programe Edukative të Sigurisë Rrugore

Kryeministri, Edi Rama, bën me dije se kanë nisur punimet për Poligonin e parë publik të testimit praktik për leje drejtimi, njëkohësisht dhe Qendra e parë Edukative Digjitale e Simulimeve Virtuale në Fushë-Prezë në Tiranë. Teksa publikon pamje nga punimet, Rama shkruan në Facebook se vepra shumëdimensionale, me një sipërfaqe rreth 6,000 m2 do të shërbejë edhe për Programe Edukative të Sigurisë Rrugore, orë Këndi Trafiku dhe Aktivitete Mësimore shtesë.
“Nisin punimet për Poligonin e parë publik të testimit praktik për leje drejtimi, njëkohësisht dhe Qendra e parë Edukative Digjitale e Simulimeve Virtuale për leje drejtimi në Fushë-Prezë, Tiranë. Kjo vepër e re shumëdimensionale, me një sipërfaqe rreth 6,000 m2 do të shërbejë edhe për Programe Edukative të Sigurisë Rrugore, orë Këndi Trafiku dhe Aktivitete Mësimore shtesë”, shkruan kryeministri krahas pamjeve.
Objekti i ri brenda kësaj qendre do të kthehet në një hapësirë të teknologjisë më të fundit të simulatorëve mbi drejtimin e mjetit, pikë takimi për aktivitete edukative me moshat e reja si edhe stacion trajnimesh profesionale të sektorit të leje drejtimit. Projekti parashikon monitorim ajror por edhe brenda në kabinë, drejtpërdrejt gjatë provimit, kompleks funksional ditën e natën, karikim mjetesh elektrike me energji diellore, parkime ndihmëse, sinjalistikë e mjete simulimi, instalime bashkëkohore dhe ambiente pritjeje.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




