Një ditë me Gledian Llatjan, kandidati që pretendon për herë të dytë Elbasanin: Automotoparku, vepra më e madhe pas Metalurgjikut

Gledian Llatja synon të fitojë zgjedhjet lokale të 14 majit për Bashkinë e Elbasanit nën siglën e Partisë Socialiste.
Kjo është hera e dytë për Zotin Llatja që pretendon mandatin e kryebashkiakut, por ndryshe nga zgjedhjet e kaluara të vitit 2019, këtë pranverë do të ketë përballë një kandidat opozitar të koalicionit “Bashkë fitojmë” Luçiano Boçi.
“Ne jemi në garë. Kemi pasur sfida gjithmonë. Edhe fushatën e 2019 nuk e neglizhuam. Se nuk të vijnë gati 39 mijë vota po nuk bëre fushatë. Elbasani është një qytet që ka pasur gjithmonë mbështetje për PS dhe ne i kemi qëndruar pranë gjatë gjithë kësaj kohe. Presim një fushatë të mirë dhe rezultat pozitiv në këtë zgjedhje” thotë Llatja për gazetaren e Radio Televizionit Shqiptar, Sonila Agostini.
Ditën e nis me stafin e bashkisë duke ndjekur projektet e nisura gjatë mandatit të tij të parë me ambicien për shkolla të reja apo rikonstruksion të objekteve ekzistuese arsimore kulturore.

Është i vetëdijshëm për sfidën që ka përballë.
“Qytetarët e Elbasanit e kuptojnë kush është puna dhe kush është alternativa e punës, e fjalës apo riciklimit. Ne kemi qëndruar pranë tyre në tërmet dhe pandemi. Sot tek lagjja “Vullnetari” apo “Partizani” kemi një sistemim tërësor të lagjes.
Po ecim dhe me rehabilitimin e fasadave të pallateve, si tek kryqëzimi i Cërrikut, afër Doganës apo rrethrrotullimi i luleve.
Ato që kanë qenë të pasuvatuara po u nënshtrohen rehabilitimit tërësor të tyre. Heqjen e depozitave nga lart, rehabilitimin tërësor të tarracave. Do të vijojmë me këtë sistem në të gjithë Elbasanin,” thotë Llatja.
Pas ndarjes administrative të vitit 2015 Elbasani përfshiu në hartën e tij 112 fshatra dhe numëron një popullsi prej 213 mijë banorë.
Llatja thotë se në qytetin e tij kanë nisur disa projekte që do e kthejnë Elbasanin në destinacion turistik përgjatë vitit.
“Me automotoparkun e Elbasanit do të bëjmë një nga kryeveprat më të mëdhaja pas kombinatit metalurgjik. Po vijojmë bashkëpunimin me qeverinë për bypass e Elbasanit dhe korridorin 8 që janë projekte të mëdha. Po vijojmë me sheshin e Gjinarit, infrastrukturën e brendshme të fshatit. Po vijojmë me Funarin, që do e kthejmë në një park për sportet e aventurave. Presim të ketë frekuentueshmëri të madhe nga turistët,” tregon më tej Llatja.
Elbasani përballet me sfidën e infrastrukturës sidomos në zonat e informale që lulëzuan pas viteve 1990.
Deri në 14 maj kandidati pretendon të mbledhë vota nga banorët e qytetit.

Takimet mbështeten nga strukturat lokale të PS-së siç ishte një takim me veteranët e luftës apo familjarët e tyre.
“Do i bëjmë gjërat një nga një brenda mundësive tona por dhe me mbështetjen e madhe të qeverisë shqiptare” shton më tej.
Elbasani ka mirëpritur dhe votimin elektronik.
“Është një gjë shumë e mirë për të çtensionuar situatën apo për të hequr idetë e atyre jashtë Elbasanit se në këtu zgjedhjet janë problematike. Në fakt zgjedhjet në Elbasan nuk janë problematike. Janë zgjedhje qytetare e do të vijojnë të jenë të tilla. Urojmë që një mesazh i tillë të bëhet edhe nga pala tjetër. Të kemi një fushatë qytetare si Elbasani e meriton”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




