“Nuk do ketë tolerancë për të gjykuarit nga GJKKO”, Çuçi: Votojmë Amnistinë Penale

“Nuk do të ketë tolerancë për personat e gjykuar nga GJKKO”, ka qenë kjo deklarata e kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi pas përfundimit të mbledhjes.
Ai u shpreh se mazhoranca është e prerë në këtë çështje.
“Sa i përket GJKKO-së, e kemi thënë nuk do tërhiqemi. Në sensin që s’do ketë tolerancë për ata që janë gjykuar nga GJKKO. Ai është qëndrim i prerë i joni”, tha Çuçi.
Sa i përket Amnistisë Penale, Çuçi shprehu bindjen se do miratohet, ndërsa shtoi se nëse gjendet dakordësia me opozitën, mund të futet edhe në rend dite në seancën e së enjtes (4 prill).
“E enjte e madhe s’e di unë, por besoj se nëse bëhemi gati do miratojmë ligjin për Amnistinë”, theksoi ai.
Pyetur mbi ligjet e miratuara në seancën e 7 marsit për të cilat u vendos rivotim për shkak të mos plotësimit të kuorumit të nevojshëm, Çuçi u shpreh se janë futur në agjendën e së enjtes dhe do të rivotohen.
“Janë futur në agjendë dhe do rivotohen Ato nuk kërkojnë 84 vota. Ajo është çështje e interpretimit ligjor të kuorumit”, tha ai.
Ndërkohë në lidhje me kërkesën e mazhorëncës për ngritjen e një komisioni të posaçëm për dizinformimin, Çuçi deklaroi se është mjaft i rëndësishëm për të luftuar dizinformimin. AI shtoi se ky komision do i japë një peshë mjaft të veçantë Kuvendit.
“Sot diskutuam një informacion edhe me grupin, për komisionin e posaçëm për mbikëqyrjen e institucioneve dhe veprimtarinë e tyre për të luftuar dizinformimin me qëllim cenimin e standardeve demokratike, apo ndërhyrjet e vendeve jo mike për destabilizimin e Shqipërisë. Besoj është komision që ka rëndësi të veçantë, Komision që PE e ka ngritur që në 2020.
Kemi rezoluta të vendeve demokratike, besoj do jetë një nga komisionet që do i japë peshë të veçantë Kuvendit në lidhje me ketë fenomen iu kthyer në problem edhe në vendet partnere”, shtoi Çuçi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



