“Nuk pranojmë kurrë zgjedhje të tilla”, Berisha: Askush nuk mund të na imponohet, farsa në DASH

Politikë | 1 vit më parë

Kryedemokrati Sali Berisha akuzon qeverinë se ka manipuluar votën e diasporës.

Z. Berisha tha se në mënyrë antiligjore, zarfet e votave erdhën përmes kompanive të nënkontraktuara nga DHL-ja, ndërkohë që marrëveshja ishte vetëm me këtë kompani.

“Kemi sjellë këtu disa shembuj, ku në Lezhë vota të numëruara janë 12.290, kurse të dërguara janë 11.872. Kjo sepse ata që kanë plotësuar zarfet, ata nuk kanë pasur të ndalur, kanë tejkaluar edhe këtë të dhënë. Këtu në Dibër, nga 7.733 zarfe të numëruar, janë dërguar vetëm 7.547 zarfe në total. Edhe këtu janë shtuar 200 zarfe për të ndihmuar partinë. Në Durrës janë shtuar 560 zarfe më shumë. Në Fier, 27.191 zarfe janë numëruar, në fakt kanë qenë gjithsej 26.212, pra pothuajse 1 mijë zarfe më shumë. Në Kukës, 3.003 zarfe, kanë gjithsej 2.917 në total. Në Shkodër, janë numëruar 13.959 zarfe, kanë qenë gjithsej 13.533 zarfe në total. Në Tiranë, janë numëruar 43.773 zarfe nga 42.400 në total, pra 1.300 më shumë.

E shihni, pra, që nuk janë ngopur së futuri zarfe në kutitë që kanë ardhur, në postë, në magazinë apo kudo. Tani kemi sjellë disa shembuj të votimit si në Korenë e Veriut ose si në vitet ’80 në Shqipëri, ku 97 për qind i ka PS, 3 përqind i ka ASHM. Rikthehen rekordet e Koresë së Veriut në Shqipëri,” deklaroi z. Berisha.

Partia Demokratike, rikonfirmoi z. Berisha, do të bëjë avokatinë e votës së lirë në çdo kancelari të Europës, sikundër edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Edi Rama po bën çdo përpjekje nga më banditesket, shënojeni ju lutem, për të ndërhyrë, por sukses nuk do ketë,” u shpreh kryedemokrati.

Ai tha se kryeministri Rama ka cenuar integritetin e votës edhe për kandidatët e Partisë Socialiste, me synimin për të pasur në Kuvend të përzgjedhurit e tij.

“Me Oltën, jo Gjylametit, por ai është i aftë t’i vërë flakën gjysmës së grupit parlamentar. Cherchez la femme!“

Berisha akuzoi kryeministrin se e përdor Portin e Durrësit për trafik kokaine, ndërsa theksoi se beteja e pjesshme me fitoren kundër krimit ishte vetëm falë aksionit të Antimafies italiane.

Gazetare: Anisa Kadesha

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme