Numërohen 62% e votave të diasporës, PS ruan kryesimin me 54%. PD, 28%

Numërimi i votave të diasporës vijon ende në “Parkun Olimpik”, teksa deri më tani janë numëruar 62% e totalit të votave.
Sipas të dhënave të deritanishme të publikuara nga KQZ, PS kryeson bindshëm duke marrë 54.07%. PD ka marrë deri më tani 28.22% të votave.
Partia e tretë më e votuar nga diaspora është “Nisma Shqipëria Bëhet” me 9 391 vota ose 8.35% në total.
Ndërkohë, numërimi i votave brenda vendit ka përfunduar, ku Partia Socialiste ka marrë 83 mandate, ndërsa PD mori 50 mandate. Partia Socialdemokrate ka marrë 3 mandate, Partia Mundësia 2 mandate, ndërsa nga një mandatë kanë marrë Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë.
Vota e diasporës mund të ndryshojë numrin e mandateve të PS dhe të PD në 4 qarqe. Në Fier, vota e diasporës mund të sjellë të tjera problem për PD-në, e cila mund të humbasë një tjetër mandat.
Sa i përket Tiranës, socialistët thelluan diferencën në vota duke arritur të marrin edhe mandatin e 19-të, por me votat e diasporës, ata janë në pritje të një mandati të 20-të. Do të ishte ky mandati që do e çonte PS-në në 84 mandate. Nga ana tjetër diferenca po ngushtohet edhe në Lezhë mes PS-së dhe PD-AMSH, ku aktualisht opozita është vetë rreth 1250 vota përpara.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





