“Odiseja e Thaçit” në 3D/ Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës: Duhen ndryshime ligjore për Gjykatën Speciale, të shmanget polarizimi politik

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, komentoi vendimin e Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Në një lidhje Skype për emisionin “3D” në RTSH, Selimi tha se vendimi e ka gjetur Kosovën në një situatë të vështirë institucionale, pas zgjedhjeve dhe pa president.
Selimi u ndal te nisma e Partisë Demokratike të Kosovës për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Sipas Selimit, ndryshimet kushtetuese nuk lejojnë zhbërjen e Dhomave të Specializuara, por këkron përcaktimin se ku do të përfundojë procesi dhes e Kosovës të mos i vijnë dëme të tejra nga Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
“Fatkeqësisht, vendimi i Hagës e gjeti Kosovën në një situatë pa institucione, pas zgjedhjeve dhe në një kohë të keqe, pa President. Ndryshimet kushtetuese të Kosovës nuk lejojnë një vendim të tillë drastik si zhbërja e Dhomave të Specializuara, por PDK-ja kërkon ndryshime kushtetuese, ku dy janë pikat kryesore. E para është të dihet se kur është përmbyllja e këtij procesi, i cili është një shpat mbi kokën e shumë prej themeluesve të UÇK-së dhe atyre që kanë luftuar, dhe të krijohet një kornizë përmbyllëse. Pika e dytë është monitorimi, ku tregohet se procesi ka pasur shumë mangësi. Ata kërkojnë ndryshime ligjore që PDK-ja të tërhiqet nga Gjykata Kushtetuese dhe të parandalohen vendime në të ardhmen që mund të jenë të pakalkulueshme”, tha ai.
Selimi bëri thirrje që çështja e Gjykatës Speciale të mos shndërrohet në një tjetër burim polarizimi politik në Kosovë. Ai tha se, pavarësisht dallimeve politike, ekziston një qëndrim i përbashkët mes pozitës dhe opozitës për nevojën e ndryshimeve ligjore.
“Duhet mençuri dhe dashuri që rreth kësaj teme të mos ketë polarizime, shantazhime dhe kalkulime politike për përfitime në zgjedhjet elektorale. Pozita dhe opozita e kanë një qëndrim të përbashkët rreth ndryshimeve ligjore, por duhet që në diskutim të jenë edhe partnerët ndërkombëtarë’, tha Selimi.
Duke folur për procesin gjyqësor në Hagë, Selimi ngriti edhe shqetësime lidhur me apelimin e vendimit, ku shpresat për ndryshim të vendimin thuajse janë zero.
“Në apel, historia ka treguar se 100% e ankesave të mbrojtjes janë anuluar dhe 100% e ankesave të prokurorisë janë pranuar. Kjo nuk lejon optimizëm për të ardhmen”, tha ai.
PDK ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Nisma vjen pas aktgjykimit dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët u dënuan me 81 vite burg në total.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



