Operacionet në Vlorë/ Balla: U parandaluan ngjarje me pasoja kriminale. Shpërblim efektivëve

Ministri i Brendshëm Taulant Balla vlerësoi finalizimin e dy operacioneve, atë për armëmbajtje pa leje dhe minave me telekomandim në Vlorë.
Gjatë një takimi me drejtues dhe forca operacionale të Policisë së Vlorës, Balla tha se për operacione të këtij niveli vështirësie do të ketë gjithmonë shpërblim financiar, duke motivuar punonjësit e Policisë.
“Shumë faleminderit për operacionin e kryer me shumë sukses dhe parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale, në këtë kulm të sezonit turistik, ku detyra parësore e Policisë është garantimi i rendit dhe sigurisë publike. Këto grupe kriminale që prej vitesh kanë dëmtuar rendin publik në Vlorë, dukë krijuar ngjarje kriminale, po marrin po marrin dita-ditës goditje. Edhe 2 goditjet e 72-orëve të fundit kanë qenë parandalim nga ana e Policisë për disa ngjarje kriminale. Unë mendoj se ecja në këtë vazhdë në DVP Vlorë meriton të vlerësohet maksimalisht nga ana ime si Ministër, nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, z. Rrumbullaku, u cili ju dërgon mirënjohje e falënderimet e tij. Natyrshëm sikurse e kemi bërë standard në vlerësimin e punës, besoj që drejtori ju ka njoftuar që për gjithë efektivët e përfshirë në aksione dhe operacione me sukses të këtij niveli do të ketë dhe shpërblim financiar për secilin prej jush”, u shpreh ministri.
Ai kërkoi angazhim të lartë dhe integritet në punën e oficerëve të Policisë, në betejën e përditshme me paligjshmërinë dhe krimin e organizuar në veçanti.
“Ju lutem mos e ulni ritmin që keni dhe këtë standard që po vendosni. Dua ta falënderoj Drejtorin, 2 nëndrejtorët dhe secilin prej efektivëve e oficerëve të përfshirë në këto goditje të njëpasnjëshme të krimit të organizuar dhe sigurisë publike”, nënvizoi ministri, duke theksuar mirënjohjen për punën e deritanishme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




