Opereta “Karnavalet” rikthehet në Korçë, artistja Inva Mula rikthen pas 45 vitesh veprën e të atit

Opereta “Karnavalet” e cilësuar si vlerë e çmuar e repertorit tonë kombëtar është shfaqur këtë fundjavë në teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës, nën interpretimin e shkëlqyer të trupës dhe solistëve të Teatrit të Operës dhe Baletit me regji të artistes së madhe Inva Mula, e cila i dha jetë produksionit me idetë e saj regjisoriale duke rikthyer një nga krijimet më të njohura të babait të saj.
Për regjisoren Inva Mula nuk ka qënë e vështirë nxjerrja nga arkivi i operetës gazmore të kompozuar nga babai i saj, Avni Mula, por ka qënë një përgjegjësi për ta risjellë edhe një herë tjetër pas gati një gjysëm shekulli në këtë skenë. Kjo edhe për të mbajtur amanetin e kompozitorit të madh.
Edhe për sopranon Renisa Laçka në rolin e Afrovitit, në Korçë emocionet kanë qënë shumë herë më të forta kjo edhe falë mikpritjes së spektatorit artdashës korçar.
Opereta “Karnavalet”, është pritur mjaft mirë nga artdashësit korçarë që kishin mbushur sallën e teatrit.
Drejtorja e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Abigeila Voshtina nisur nga suksesi i “Karnavaleve” tha se herë pas here trupa e operas do ti rikthehet krijimtarisë së kompozitorëve tanë, pjesë të cilat prej shumë vitesh nuk e kanë parë skenën.
Karnavalet arritën këtë sukses edhe falë interpretimit të Orkestrës Simfonike të TKOB-së, dirigjuar mjeshtërisht nga Elda Laro, si dhe Korin e TKOB-së, dirigjuar nga maestro Dritan Lumshi, duke bashkëpunuar edhe me Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura.
Kjo operetë e shkruar nga Avni Mula, e vënë në skenë për herë të parë më 5 shkurt 1978, vjen 45 vite më vonë, në përkujtim të 95-vjetorit të lindjes së kompozitorit.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




