Opozita padi të dytë në Kushtetuese për Portin e Durrësit, Bylykbashi: Do bëjnë kallëzime në SPAK

Politikë | 3 vite më parë

Deputeti Oerd Bylykbashi tha se do të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese një padi të dytë lidhur me Portin e Durrësit, ndërsa shtoi se këtë do e shoqërojë edhe me kallëzime në SPAK lidhur me përgjegjësit sipas tij që po bëjnë shkeljet me këtë port.

Duke treguar vlerat tregtare, ushtarake dhe historike që porti i Durrësi ka pasur historikisht në vendin tonë, Bylykbashi tha se e gjithë kjo shkelje ligjore po bëhet që ky port nga pronë publike e patjetërsueshëm të kthehet në pronë private që më pas të shitet.

“Sot jemi para jush për të prezantuar jo vetëm qëndrimin e PD, pro veprimin e PD në lidhje me aferën më të madhe jo vetëm korruptive, por grabitqare në historinë e Shqipërisë: grabitjen e Portit të Durrësit. Porti i Durrësit është pika kryesore e komunikimit detar në histori, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkanin Perëndimor, si një pikë tranziti mes Perëndimit dhe Lindjes. Por duhet theksuar se është edhe një aset strategjik ushtarak, më i madhi në Shqipëri. Ne sot bëjmë me dije se PD ka përgatitur padinë e dytë për në Gjykatën Kushtetuese, me firmat e deputetëve të opozitës, për ta sfiduar sërish këtë çështje për shkeljet e rënda kushtetuese që janë bërë. Gjithashtu do bëjmë kallëzim penal në SPAK për këtë aferë. Personat përgjegjës duke filluar nga kryeministri Edi Rama, duhet të mbajnë përgjegjësi për një veprim që qartazi, me një sekuencë po aq kriminale aktesh të miratuara nga qeveria, janë bërë aty për të veshur me një veshje juridike një marrëdhënie personale private korruptive mes Edi Ramës dhe një investitor privat arab. E gjitha kjo për të shndërruar një pronë publike, të patjetërsueshme sipas ligjit, në një pronë private që më pas do shitet. Ne e goditëm në Gjykatë Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese duke vendosur një precedent jo në interesin e shqiptarëve, por në interesin e Edi Ramës, e rrëzoi duke pretenduar se padia ishte bërë jashtë afatit kur duhej paraqitur”, tha Bylykbashi.

Bylykbashi bën me dije se padia e dytë do të trajtojë çështjen më thellë edhe në aspektin e shkeljeve kushtetuese. Deputeti opozitar tha se nëse nuk ndalen shkeljet me portin e Durrësit, atëherë radhën do e ketë  Vlora, Ksamili dhe Saranda.

“Kjo padi e dytë që paraqesim në Gjykatë Kushtetuese, shkon më tej dhe më thellë, duke trajtuar ato aspekte të shkeljeve kushtetuese.  Dhe më pas ne gjithashtu ne kemi shkuar edhe më tej duke i shkruar letër Komisioneres për Konkurrueshmërisë në BE, për shkak të shkeljes së Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, e cila është përgjigjur se BE po e ndjek këtë çështje. Ajo që ne synojmë jo vetëm të shpëtojmë Portin e Durrësit, por t’i vëmë fre të njëjtit mekanizëm grabitqar korruptiv që rrezikon të prekë edhe Vlorën, Ksamilin dhe Sarandën. Nëse Gjykata Kushtetuese dhe SPAK do bëjnë detyrën, është e mundur që këto asete të mbrohen”, tha Bylykbashi.

Më herët Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e paraqitur nga disa deputetë të opozitës, ku kërkohej shfuqizimi i marrëveshjes lidhur e Portin e Durrësit dhe kthimin e tij në port turistik dhe shpalljen e saj të papajtueshëm me Kushtetutën.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme