OSBE: Të mos pengohet puna e Parlamentit dhe e komisioneve, të përkushtuar për Reformën Zgjedhore

Politikë | 3 vite më parë

Reforma Zgjedhore dhe zhvillimet e fundit në Kuvend dhe në komisionet parlamentare, të shoqëruara me akte dhune nga deputetët e “Rithemelimit” të PD-së, prej dy ditësh kanë qenë jo vetëm në fokusin e faktorëve të brendshëm politik, duke i dënuar ashpër aktet e dhunës nga dy deputetët e opozitës, Flamur Noka dhe Gazment Bardhi, por edhe nga  përfaqësitë diplomatike perëndimore në Tiranë.     

Ndonëse jo në mënyrë të drejtëpërdrejtë edhe prezenca e OSBE-së në Shqipëri, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, u bëri thirrje deputetëve që të “kontribuojnë për një proces parlamentar të qetë e funksional”.

Sipas OSBE-së, punimet e papenguara dhe dialogu konstruktiv në komisione janë thelbësore.

Nga ana tjetër, zyra e OSBE-së gjen rastin edhe një herë të theksojë se mbetet e përkushtuar për Reformën Zgjedhore, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë pozitivisht edhe ftesës së dy bashkëkryetarëve të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri i PS-së dhe Enkelejd Alibeaj i PD-së, që OSBE/ODIHR të asistojë me ekspertë gjatë punës së këtij komisioni.

“Çmojmë partneritetin tonë me Kuvendin e Shqipërisë! U bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të kontribuojnë për një proces parlamentar të qetë e funksional. Punimet e papenguara dhe dialogu konstruktiv në komisione janë thelbësore. Përkushtimi ynë për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe në kohë mbetet i fortë. Angazhimi pozitiv i të gjithëve është vendimtar për të pasur sukses”, thuhet në reagimin e OSBE të publikuar në Facebook.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme