Osmani: Jemi dy shtete, por fatet tona janë të ndërthurura

Aktualitet | 3 vite më parë

“Ne [Shqipëria dhe Kosova] jemi dy shtete, por fatet tona janë të ndërthurura.“

Kështu u shpreh presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një konference të përbashkët me homologun Bajram Begaj.

Kryeshtetarja e Kosovës tha se Shqipëria dhe Kosova kanë një lidhje unike, historike e kombëtare.

“Kosova dhe Shqipëria kanë një lidhje unike, historike, kulturore e kombëtare që e bën bashkëpunimin dhe lidhjen tonë të fortë e të pathyeshme. Përballë sfidave ne qëndrojmë të bashkuar duke u bashkuar në një qëllim: stabiliteti, prosperiteti dhe integrimi euroatlantik i vendeve tona. Kombi shqiptar gjithmonë ka qenë dhe vazhdon të mbetet faktor stabiliteti në rajon, me orientim të qartë euroatlantik,” u shpreh Osmani.

Kosova nuk njihet nga të gjitha shtetet ndërkombëtarisht, ndaj presidentja Osmani theksoi nevojën për mbështetjen nga Shqipëria, për të qenë zëri i saj në instancat ku Kosova ende nuk përfaqësohet.

“Synim shtetëror e strategjik yni mbetet anëtarësimi në NATO dhe në BE, si dhe në të gjitha organizatat e tjera ku kemi interes shtetëror. Fuqizimi i koordinimit të vazhdueshëm në politikën e jashtme është në dobi jo vetëm të shteteve tona, por edhe të rajonit më gjerë. Prandaj edhe kryefjala e vizitës sime është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme,” deklaroi Osmani.

Në 12 vitet e fundit janë nënshkruar 41 marrëveshje qeveritare ndërministrore, ndërinstitucionale mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Osmani tha se ato synojnë fuqizimin e shteteve tona dhe lehtësimin e jetëve të qytetarëve.

“Shteti i Kosovës, sikurse edhe Shqipëria, e kanë të qartë orientimin proeuropian dhe euroatlantik. Jemi përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Europian dhe vendeve demokratike, jo vetëm sa i përket zhvillimeve në rajon, por në gjithë kontinentin tonë, sidomos me sfidat që po përballemi si kontinent në këto dy vitet e fundit. Ne jemi të vendosur për të kontribuar në funksion të paqes dhe stabilitetit, dhe të mbrojmë së bashku vlerat që po rrezikohen dhe atakohen nga Rusia dhe satelitët e saj në rajon. E kemi po ashtu detyrim që së bashku të punojmë për avancimin e interesave të të gjithë shqiptarëve në rajon, të cilëve vazhdimisht u shkelen të drejtat elementare, si atyre që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc,” deklaroi presidentja Osmani.

Serbia mbetet sfida më madhore për Kosovën në rrugëtimin e saj ndërkombëtar.

“Përderisa politika shtetërore e Serbisë vazhdimisht po e sfidon integritetin territorial të Kosovës dhe angazhohet në agresion institucional kundër Kosovës në baza të rregullta, ne do të kemi nevojë për përkrahjen e Shqipërisë e po ashtu për përkrahjen e aleatëve dhe partnerëve euroatlantikë. Rruga e vetme që sjell paqe dhe stabilitetin për gjithë rajonin tonë është atëherë kur rezultati përfundimtar do të jetë njohja reciproke dhe ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit, rendit kushtetues dhe funksionalitetit të brendshëm të Republikës së Kosovës.

Nuk është situata në veri ajo që ka acaruar dialogun Kosovë–Serbi. Është Serbia ajo që gjithnjë acaron situatën në rajonin tonë nëpërmjet sulmeve të njëpasnjëshme ndaj Kosovës. Nuk ka javë që kalon që dikush nga Serbia nuk gjuan me armë policët e Kosovës që janë në territorin e Kosovës. Duke zbatuar në përpikëri planin që [presidenti rus, Vladimir] Putini kishte zbatuar në vitin në vitin 2014 kundër Ukrainës, [presidenti serb, Aleksandar] Vuçiqi dhe Serbia po synojnë ta destabilizojnë të gjithë Ballkanin Perëndimor, e nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë të atakojnë vlerat dhe sistemin e vlerave mbi të cilët qëndrojnë BE-ja dhe NATO-ja,” u shpreh kryeshtetarja e Kosovës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme