Padia e PD në SPAK për ndërtimin e kullës, Basha: Lufta ndaj korrupsionit, e panegociueshme

Kallëzimin në SPAK të padisë ndaj projektit për rindërtimin e kullës pas Teatrit të Operës dhe Baletit, kreu i Partisë Demokratike e konsideron si provën e besimit ndaj kësaj force politike, në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion.
Basha deklaroi se lufta ndaj korrupsionit, është e panegociueshme për Partinë Demokratike, teksa shprehu vendosmërinë për të qëndruar përballë kujtdo që shkel besimin e qytetarëve për interesat e veta korruptive.
“Për Partinë Demokratike lufta ndaj korrupsionit është e panegociueshme. Ne jemi të vendosur të përballemi me cilindo që ka shkelur besimin e qytetarëve për t’i hapur rrugë interesave korruptive dhe klienteliste, të cilat janë një kërcënim për mirëqenien e shqiptarëve.
Kallëzimi i sotëm në SPAK i malit të korrupsionit në qendër të Tiranës, është provë e besimit të Partisë Demokratike ndaj institucionit më të rëndësishëm të akuzës. Mbështetja pa kushte ndaj drejtësisë është dëshmi e vullnetit tonë politik për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të inkurajuar transparencën mbi lidhjet e dukshme dhe të padukshme mes korrupsionit politik, krimit ekonomik dhe krimit të organizuar.
Askush nuk mund të jetë mbi ligjin”, shkruan Basha në rrjetin social Facebook.
Reagimi i Bashës erdhi pas depozitimit në SPAK nga anëtarja e PD-së në këshillin Bashkiak të Tiranës, Enriketa Papa të padisë ndaj projektit për ndërtimin e kullës pas Teatrit të Operës dhe Baletit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




