Palët në PD drejt KAS, kush është institucioni që vulos mes Berishës dhe Bashës për zgjedhjet

Nga Armando META
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, duket do të jetë stacioni i rradhës i përplasjeve mes palëve brenda PD-së, lidhur me të drejtën për përfaqësimin ligjor të kësaj force politike në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.
Të dyja palët në PD, qartazi kanë mbetur të pakënaqura nga vendimet e sotme në KQZ, ku PD e Berishës ka marrë një përgjigje negative, lidhur me kërkesën për regjistrimin e saj në zgjedhje, ndërsa PD-së së Bashës, e përfaqësuar nga Alibeaj, i është dhënë afat edhe 48 orë për plotësimin e dokumentacionit.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve është “gjykata finale” për problematikat lidhur me zgjedhjet, ku palët ankimojnë vendimet e dhëna nga KQZ-ja ose kryekomisioneri i KQZ-së. Sipas ligjit, KAS-i ushtron këto kompetenca:
a) vendos për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në një ose më shumë qendra votimi, në një ose më shumë zona zgjedhore apo në të gjithë vendin, si dhe për përsëritjen e pjesshme ose të plotë të zgjedhjeve;
b) shqyrton dhe zgjidh në rrugë administrative ankesat ndaj akteve të Komisionerit;
c) shqyrton dhe zgjidh në rrugë administrative ankesat e subjekteve zgjedhore ndaj vendimeve të KZAZ-ëve;
ç) vlerëson performancën e komisionerëve dhe numëruesve për çështjet që shqyrton.
d) me kërkesë të Komisionerit vendos masat disiplinore ndaj zyrtarëve zgjedhorë në rastet kur pas kontrollit aposteriori të materialit zgjedhor janë konstatuar shkelje ose parregullsi në administrim;
dh) me kërkesë të Komisionerit vendos sanksione administrative kundër personave apo subjekteve zgjedhore dhe/ose kandidatëve të tyre, që kryejnë kundërvajtje administrative në lidhje me zgjedhjet.
Secili anëtar i KAS-it ka të drejtë që gjatë hetimit administrativ të marrë kryesisht, pa debat dhe as votim, prova që janë në administrim të KQZ-së.
Aktet administrative bazë të KAS-it janë vendimet. Vendimet merren kur pro tyre votojnë së paku tre anëtarë, përveç vendimit kur objekt i ankimit është kundërshtimi i tabelës përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve në zonën zgjedhore. Në këtë rast vendimi merret kur pro tij votojnë së paku katër anëtarë.
Përbërja e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 9-vjeçar, sipas procedures së përcaktuar në këtë ligj.
Kanë të drejtë të kandidojnë ose të propozohen për anëtar të KAS-it shtetasit shqiptarë që vijnë nga radhët e ish-gjyqtarëve, ish-këshilltarëve në Gjykatën Kushtetuese ose në Gjykatën e Lartë, ish-anëtarëve të KQZ-së, ish-nëpunësve të nivelit të lartë drejtues ose të juristëve në profesion të lirë, me përvojë në gjykime administrative.
Përzgjedhja e anëtarit të KAS-it bëhet në bazë të eksperiencës së mëparshme të suksesshme në shqyrtimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, të ligjshmërisë së demonstruar ose të provuar në ushtrimin e detyrave apo funksioneve dhe të reputacionit publik të kandidatit. Dokumentet apo referencat provuese të kandidatit për suksesin dhe ligjshmërinë në ushtrimin e detyrave duhet të shtrihen së paku për një periudhë vazhduese 3-vjeçare veprimtarie.
Personi që kandidon ose që propozohet për anëtar të KAS-it nuk përfshihet në listën e kandidatëve që votohen nëse në momentin e kandidimit ka qenë në ushtrim të funksioneve si gjyqtar, këshilltar në Gjykatën Kushtetuese ose në Gjykatën e Lartë, anëtar i KQZ-së ose nëpunës i nivelit të lartë drejtues, ose kur komisioni përgjegjës i Kuvendit krijon bindjen se marrëdhënien e tij të punës e ka ndërprerë për shkak të kandidimit ose propozimit për anëtar të KAS-it.
Personi që kandidon ose që propozohet për anëtar të KAS-it nuk përfshihet në listën e kandidatëve që votohen nga Kuvendi nëse është anëtar aktiv i ndonjë partie politike, ose nëse ka interesa të dukshme ose të njohura, plotësimi i të cilave varet nga qeverisja në nivel qendror ose vendor.
Mënyra e funksionimit të KAS-it dhe procedurat e shqyrtimit të çështjeve përcaktohen në rregulloren e seancave të KAS-it. Anëtarët e KAS-it u nënshtrohen dispozitave të legjislacionit në fuqi për konfliktin e interesave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




