Pallati mbretëror në Britani do të trajtojë me “shumë seriozitet” çështjet racore

Çështjet rreth racës, të ngritur nga Duka dhe Dukesha e Sussex-it, Harry dhe Meghan janë “shqetësuese” dhe do të adresohen nga familja mbretërore privatisht, ka thënë Pallati Buckingham.
Përmes një deklarate, Pallati ka thënë se pretendimet e bëra në intervistën me Oprah Winfrey “janë marrë me seriozitet”.
Pallati ka thënë se familja mbretërore është “e pikëlluar” prej kur ka mësuar sa sfiduese kanë qenë vitet e fundit për çiftin.
“Harry, Meghan dhe Archie do të jenë gjithmonë pjesëtarë shumë të dashur të familjes”, është thënë në deklaratë.
Presioni për t’u përgjigjur është rritur në Pallatin Buckingham pasi Meghan – pjesëtarja e parë me racë të përzier në historinë moderne të familjes mbretërore – ka thënë se Harry është pyetur nga një pjesëtar i familjes mbretërore se sa “e errët” do të mund të jetë ngjyra e djalit të tyre Archie.
Princi Harry më vonë e ka sqaruar se këto komente nuk janë bërë as nga Mbretëresha Elizabeta II apo Duka i Edinburgut.
Kjo përgjigje ka ardhur pas takimit të ekipit të pallatit për kriza, si pasojë e intervistës që kanë pasur Harry dhe Meghan, në të cilën kanë folur për racizmin, shëndetin mendor, mediat dhe pjesëtarë tjerë të familjes mbretërore.
Harry e ka pranuar se nuk ka lidhje të ngushta me vëllain e tij William, i cili është në rend për marrjen të fronit pas babit të tij, princit Charles.
Ai ka thënë se ka ndjerë se familja e tij nuk e ka mbështetur Meghanin.
Winfrey në një moment ka pyetur Meghanin për ndikimin e kësaj situate në shëndetin e saj mendor dhe presionin që ka pasur.
Ajo është përgjigjur se ka pasur mendime për vetëvrasje dhe ka kërkuar ndihmë përmes departamentit të pallatit për burime njerëzore, mirëpo i kanë thënë se nuk mund të bëjnë asgjë.
Në moment pozitiv i intervistës ka qenë kur Harry dhe Meghan kanë treguar se fëmija i tyre i dytë do të jetë vajzë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




