Parandalimi i ngjarjes kriminale në Krujë, Balla: Në Shqipëri s’do ketë më të fortë

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar pas parandalimit nga policia të ngjarjes kriminale në Krujë.
Teksa përgëzoi punën e bërë nga efektivët e Policisë, Balla deklaroi se ka marrë fund koha e feudëve dhe të fortëve në Shqipëri.
“Do bëjmë gjithçka që në territorin e Shqipërisë të mos ketë më feude apo bajraqe, ku mbi ligjin dhe mbi qytetarët të jenë të fortët dhe nuk mund të ketë individë më të fortë, sesa e bardha e vijave të rrugës apo e kuqja e ngjyrës së semaforëve. Përgëzoj Policinë e Shtetit për parandalimin e një ngjarje të rëndë kriminale në Krujë dhe ndalimin e personave që guxuan të kërcënojnë një qytetar, i cili kishte denoncuar një paligjshmëri”, shkruan Balla në rrjetin social Facebook.
Reagimi i ministrit erdhi pas parandalimit nga policia të një ngjarje kriminale në Krujë.
Katër persona kanosën me armë zjarri pronarin e një biznesi që të tërhiqte kallëzimin për njërin nga të arrestuarit për vjedhjen e biznesit të tij.
“Shtetasi S. H. dyshohet ka vjedhur në një biznes (njësi tregtare makinash), në pronësi të shtetasit B. H., i cili ka bërë kallëzim në Polici, për këtë shtetas. Më pas, shtetasi S. H., bashkë me 3 shtetasit e tjerë të arrestuar, ka kanosur me armë zjarri shtetasin B. H., për të tërhequr kallëzimin”, thuhet në njoftimin e policisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




