Parku i Butrintit/ Berisha: Do ndërtohen resorte, fondi amerikan u shndërrua në mashë të Ramës! Balla: ‘Non grata’ e nxori kokën

Politikë | 4 vite më parë

Çështja e dhënies në menaxhim nga privati i Parkut Kombëtar të Butrintit ka përplasur Sali Berishën dhe Taulant Ballën në Kuvend. Berisha tha se në Butrint do të ndërtohen vila dhe resorte, ndërsa shtoi se Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit po kthehet në një mashë për ambiciet korruptive të Ramës.

“120 vila në kepin e Stillos, resorte në gjirin e Manastirit. Mund t’ju them zotërinjve fondit nuk iu takonte ju të shndërroheshin në një mashë të Edi Ramës për të kënaqur ambiciet e tij korruptive. Unë kam respektin më të madh për kontributet e tyre, por zotërinj keni qenë ju kur qeveria e mëparshme zgjeronte një rrugë që protestonit pse u zgjerua, pse u hoq një zonë kreative që ishte Ksamili. Kurse tani ju bëni një plan menaxhimi që shërben si pretekst për ata që duan të dinë të vërtetë për të rrëmbyer 830 ha toka me pasuri dhe për të bërë ndryshme klani Rama dhe klane të tjera. Këtu është problemi kryesor i kësaj marrëveshje, që do shkojë në histori si më korruptive. Fondi është autor i planit të menaxhimit, të cilën nuk e publikon”, tha Berisha.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili tha se i problemi i Berishës nuk ishte parku i Butrintit, por t’i turrej fondit amerikan si ‘non grata’ që është. Sipas Ballës nëse fondi nuk do ishte amerikan, Berisha nuk do të dilte kundra.

“Asnjë nga ju nuk keni pasur merakun e Butrintit. Me vjen keq për një pjesë të sallës së opozitës, që u peng-morët nga “non grata” e madhe e PD. Sepse e nxori kokën sot, e foli i fundit. Iu turr fondit amerikan. Kur unë ju thashë para dy muajsh, sa të vijë kontrata e radhës me një kompani amerikane, do dilni kundra. E keni gabim, sepse fondi është shqiptar. Fondi ka ardhur në Shqipëri kur parafolësi ishte në pushtet, është lartësuar kur zotëria ishte kryeministër. Kurse sot nuk bën më sepse ka emërtesën amerikan. Po të kishte emërtesë tjetër s’do ishte kundra. Fondi po bën një punë të shkëlqyer. Koha do të tregojë që investimet që do të bëhen sipas kontratës. Butrinti ka qenë dhe do të vazhdojë pronë e shtetit shqiptar. Ai do të administrohet nga një fondacion i posaçëm. Kurrë SHBA-të nuk janë përfshirë në një çështje që nuk ka qenë në favor të shqiptarëve”, tha Balla.

Parku i Butrintit ka hapur debat mes maxhorancës dhe opozitës, ku sipas një marrëveshje, Butrunti do menaxhohet në bashkëpunim nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF) me qeverinë shqiptare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme