Partizani – Roma jo vetëm futboll, nën transmetimin ekskluziv të RTSH, sporti i parë edhe si biznes

Një takim miqësor futbolli i mirëpritur mes Romës dhe Partizanit, nuk mund të mos shoqërohet edhe me përfitime që vijnë nga sporti. Në fakt, sot të dyja aspektet e këtij fenomeni, sporti dhe biznesi, janë të lidhura në mënyrë të pandashme me njëri-tjetrin. Në futboll, por nëse shohim edhe më gjerë, mund të themi se nuk ka asnjë aktivitet sportiv sot në botë që të mos jetë i shoqëruar me sponsorizime, reklama, të drejta televizive, etj.
Në Tiranë, nuk e harrojnë kollaj finale e Ligës së Konferencës së Europës. Janë shënuar shpenzimet më të mëdha, që duket se do të jenë të tilla edhe për miqësoren e 12 Gushtit.
Klubi italian tashmë e ka vendosur në faqen e tij zyrtare njoftimin e rëndësishëm dhe ka porositur edhe fansat e tij se bileta do të lëshohet ekskluzivisht në mënyrë elektronike (e-biletë) dhe se “në ditën e ndeshjes, për të hyrë në stadium, do të mjaftojë të tregoni biletën elektronike direkt nga telefoni juaj inteligjent”.
AS Roma këshillon të gjithë tifozët e saj që të mos udhëtojnë drejt Shqipërisë për ndeshjen pa pasur tashmë një biletë të vlefshme për sektorin e mysafirëve të “Air Albania” Arena dhe të kontrollojnë me kujdes kërkesat e udhëtimit të përcaktuara nga autoritetet vendase.
Partizani dhe Roma do zhvillojnë një miqësore luksi më 12 gusht në “Air Albania”, duke nisur nga ora 20:00. Përballë kampionëve të Shqipërisë do të jetë Roma e Jose Mourinhos, e cila do të zbarkojë për herë të dytë në Tiranë, pas finales së Konferencë League majin e vitit të kaluar, ku edhe fitoi trofeun.
Finalja e Ligës së Konferencës së Europës do të jetë një ngjarje, e cila mbahet mend nga shqiptarët për disa arsye dhe padyshim, nuk do të harrohet nga shumë biznese, sa u përket përfitimeve në aspektin monetar.
Të shtunën që vjen, nga hotelet te pijet e reklamat, do të shënohen shpenzimet më të mëdha për miqësoren e 12 Gushtit, nën transmetimin ekskluziv të televizionit publik. Çmimet e biletave nisën nga 400-5000 lekë. Ndërsa në motorët globalë të prenotimit të hoteleve në Tiranë tani janë shfaqur kostot e hoteleve, bujtinave dhe shtëpive private, që variojnë nga 24 deri në 125 Euro/nata.
Gazetar: Bardh Sejdarasi
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




