Pas vendimit të Kushtetueses, PD: Të mblidhet Këshilli i Mandateve për Xhaçkën për konstatimin e mbarimit të mandatit

Politikë | 4 vite më parë

Vetëm një ditë pasi Gjykata Kushtetuese publikoi të zbardhur vendimin, nëpërmjet të cilit rrëzoi vendimin e parlamentit që refuzonte dërgimin në këtë Gjykatë të çështjes së papajtueshmërisë ose jo të mandatit të deputetes dhe ministres aktuale të Jashtme, Olta Xhaçka, 5 deputetë të PD-së, përkatësisht Enkelejd Alibeaj, Dhurata Çupi, Gazment Bardhi, Saimir Korreshi dhe Greta Bardeli, kërkuan sot, nëpërmjet një dokumenti zyrtar, mbledhjen e menjëhershme të Këshillit të Mandateve.

Sipas tyre, në përmbajtje të vendimit të kushtetueses, gjykata ka arsyetuar se Kuvendi duhet të kishte pranuar mocionin e kërkuesit dhe të dërgonte çështjen për shqyrtim në këtë Gjykatë, në mënyrë që aspektet e pretenduara si “papajtueshmëri të mandatit të deputetes Olta Xhaçka”, t’i nënshtroheshin vlerësimit kushtetues, pasi gjatë gjykimit kushtetues, nuk u verifikua “ndonjë pengesë juridiko-formale që mocioni të pengohej nga Kuvendi.”

“Kërkojmë që në seancën plenare të datës 02.03.2023, të përfshihen në rendin e ditës: Shqyrtimi i mocionit të 1/10 së deputetëve përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhacka; Dërgimi i çështjes për konstatimin e papajtueshmërisë me detyrën e deputetit të Znj. Olta Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese”- thuhet në kërkesë.

Gjykata Kushtetuese u vu në lëvizje nga dy kërkesa të bëra nga dy grupime të opozitës. Njëra kërkesë ishte paraqitur nga grupimi i deputetëve demokratë të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, dhe tjetra nga deputetët që mbështesin ish kryeministrin, Sali Berisha.

Të dyja kundërshtonin vendimin e parlamentit, duke mbështetur idenë se Xhaçka nuk duhet të mbajë më mandatin si deputete, pasi sipas tyre, bashkëshorti i saj ka patur përfitime nga pasuri shtetërore. Por ndërsa kërkesa e grupit të parë u pranua, ajo e pjesës tjetër, e cila kërkonte nga Gjykata dhe “konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit për shkelje të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës”, u rrëzua pasi Gjykata mund të vihet në lëvizje vetëm me kërkesë të parlamentit.

Në vendimin e saj Gjykata, saktëson se ajo “është organi i vetëm që ka kompetencën të vendosë nëse veprimet konkrete të një anëtari të Kuvendit, kundër të cilit është iniciuar procedura për konstatimin e papajtueshmërisë me mandatin, janë në kundërshtim me Kushtetutën”.

Gjykata vlerëson se “në rastin konkret Kuvendi duhet të kishte pranuar mocionin e kërkuesit dhe të dërgonte çështjen për shqyrtim në këtë Gjykatë, në mënyrë që aspektet e pretenduara si papajtueshmëri të mandatit të deputetes Olta Xhaçka t’i nënshtroheshin vlerësimit kushtetues, pasi gjatë gjykimit kushtetues nuk u verifikua ndonjë pengesë juridiko-formale që mocioni të pengohej nga Kuvendi.”

Rasti i ministres Xhaçka, ka të bëjë me një kompani të bashkëshortit të saj Artan Gaçi, dhe projektin për ndërtimin mbi një terren privat, të një hoteli në zonën e Dhërmiut. Kompania ka fituar statusin e investitorit strategjik e për pasojë edhe të drejtën e shfrytëzimit të një sipërfaqe plazhi në bregdetin e jugut. PD pretendon se sipas ligjit, përfitimet e bashkëshortit, konsiderohen si përfitime të ministres.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme