Pasuritë e sekuestruara nga krimi, Çuçi udhëzim të ri për shitjen me ankand, negociatat për çmimin me pronarët

Aktualitet | 3 vite më parë

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, nëpërmjet një udhëzimi, ka përcaktuar rregulla të reja, lidhur me procedurën e shitjes dhe depozitimit të të ardhurave nga shitja e pasurive të sekuestruara nga aktivitet kriminale, të cilat dëmtohen, u bie vlera ose dalin jashtë përdorimit.

Udhëzimi në fjalë, i cili publikohet nga rtsh.al, është pjesë e ligjit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë.

Objekt i këtij udhëzimi është përcaktimi i rregullave dhe procedurave për zhvillimin e ankandit nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), për shitjen e sendeve dhe depozitimin e të ardhurave nga shitja e pasurive të sekuestruara, të cilat mund të dëmtohen, u bie vlera në mënyrë të ndjeshme ose me kalimin e kohës dalin jashtë përdorimit, për të garantuar ekzekutimin e vendimit gjyqësor për kalimin e të drejtave të pronësisë për pasuritë e sekuestruara, si dhe mbrojtja e të drejtave dhe interesave të pjesëmarrësve në procedurën e ankandit.

Në bazë të udhëzimit të Çuçit, administratori i pasurisë së sekuestruar, i paraqet kryeadministratorit një raport tekniko-financiar dhe kërkesë të arsyetuar, për vijimin e procedurave të ankandit, me qëllim nxjerrjen në shitje të pasurive mbi të cilat nuk rëndon asnjë barrë apo detyrim.

Gjatë kësaj procedure, AAPSK-ja duhet të shmangë çdo kriter, kërkesë, që përbën diskriminim ndërmjet kandidatëve blerës.

Refuzimi i ofertës

Nga ana tjetër, AAPSK-ja, në bazë të udhëzimit që publikohet nga rtsh.al, duhet të refuzojë një ofertë ose një kërkesë për pjesëmarrjen në procedurën e shitjes me ankand publik nëse ofertuesi apo kandidati blerës i jep ose premton t’i japë, drejtpërdrejtë ose tërthorazi, funksionarëve publik, që marrin pjesë në procedurën e ankandit, një shpërblim në çfarëdolloj forme, mundësi punësimi ose mall, shërbim ose vlerë, si stimul për një akt, vendim apo procedurë që ndërmerr për procedurën e ankandit.

Refuzim për pjesëmarrje në ankanda do të ketë edhe ndaj ofertuesit ose kandidatit që është në kushtet e konfliktit të interesit. Refuzimi dhe arsyet për një veprim të tillë pasqyrohen në procesverbalet e procedurave të ankandit dhe i komunikohen menjëherë e zyrtarisht, kandidatit ose ofertuesit në fjalë.

“Në këtë rast, AAPSK-ja kur aktet apo veprimet në fjalë përbëjnë vepër penale, bën kallëzim penal, sipas rregullave të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale”- thuhet në udhëzim.

Në çdo rast, AAPSK-ja vë në dijeni menjëherë, por jo më vonë se 5 ditë nga marrja e vendimit çdo kandidat të pasuksesshëm, për arsyet e refuzimit të pjesëmarrjes së tij në ankand; çdo ofertues të pasuksesshëm, për arsyet e refuzimit të ofertës së tij; çdo ofertues të suksesshëm, që ka paraqitur një ofertë të vlefshme, për karakteristikat dhe përparësitë e ofertës së përzgjedhur.

Përjashtimi nga e drejta për informim

Udhëzimi parashikon edhe përjashtimin nga e drejta për informim në rast se dhënia e informacionin vjen në kundërshtim me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale ose cënon interesin publik apo interesat ligjore dhe ekonomike të palëve, ose pengon konkurrencën e drejtë.

“AAPSK-ja nuk i bën publike informacionet e marra nga kandidatët blerës ose ofertuesit, të etiketuara si konfidenciale, ku veçanërisht përfshihet informacioni për aspektet teknike, sekretet tregtare dhe informacionet konfidenciale të ofertave.“- thuhet në udhëzim.   

Përgatitja e ankandit

Pasi administron pasurinë e sekuestruar dhe pasi vlerëson se sendi mund të dëmtohet, i bie vlera në mënyrë të ndjeshme ose me kalimin e kohës del jashtë përdorimit, AAPSK-ja nëpërmjet një vlerësuesi të licencuar dhe një strukture të ngritur për këtë qëllim, përcakton me vendim vlerën e sendit, bazuar në vlerën reale të pasurisë në treg, në çastin e sekuestrimit të tij.

Pronarët që refuzojnë çmimin e vlerësuesit

Pas vlerësimit të sendit të sekuestruar, AAPSK-ja i kërkon pronarit të këtij sendi, të shprehë dakordësinë për çmimin e përcaktuar nga vlerësuesi.

Nëse brenda një jave nga njoftimi, AAPSK-ja dhe pronari i sendit nuk arrijnë marrëveshjen, AAPSK-ja vijon me procedurën e ankandit.

/rtsh.al/ a.meta/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme