Paul Scholes, gjeni i heshtur: ‘djali me astmë’ u bë një legjendë

Pasi mundi astmën, Paul Scholes ndërtoi një karrierë të pabesueshme te Manchester United, duke u bërë një nga mesfushorët më të forte.
Në historinë e futbollit anglez ai lehtë mund të gdhendë një vend në katet e sipërme: një lojtar i aftë për të kapërcyer hendekun e rëndë fizik që nëna natyrë i kishte dhënë në moshë të hershme, për t’u bërë një legjendë e vërtetë e këtij sporti. Ajo e Paul Scholes është një histori vullneti, qëndrueshmërie dhe kokëfortësie, e rrethuar nga një talent i pafund i kultivuar ditë pas dite me punë të palodhur.
Futbolli në venat e tij që kur ishte fëmijë, pavarësisht nga një sëmundje që nuk shkon mirë me një sport të diktuar nga vrapimi dhe fryma: Paul vuante nga astma dhe fjalët e mjekëve peshonin si një gur: “Ai kurrë nuk do të bëhet një futbollist”.
Megjithatë, ai fëmijë i dobët, astmatik dhe i ngadaltë do të bëhej një nga lojtarët më të fortë në historinë e Manchester United dhe Anglisë. Talenti i Salford nuk hoqi dorë nga ëndrra e tij dhe në moshën 14-vjeçare arriti të zgjojë interesin e Akademisë së Djajve të Kuq, ku përshpejtoi kohën e rritjes së tij deri në thirrjen e Sir Alex Ferguson, i cili në 1994 e dërgoi atë në fushë për herë të parë kundër Port Vale në një ndeshje të Kupës së Ligës. Scholes arriti të shënojë gol, duke u shfaqur në mënyrën më të mirë të mundshme në futbollin e të mëdhenjve.
Një gol i parë i pamendueshëm për atë djalë astmatik që askush nuk e shihte si sportist, aq më pak si futbollist. Emblematike janë fjalët e Gary Neville, një tjetër flamur i United, në përshkrimin e ish-shokut të skuadrës: “Nëse ata do të më kishin pyetur se cila do të ishte e ardhmja e Scholes, unë do të kisha thënë: si mund të jetë ai një lojtar i Manchester United? Ishte aq i vogël, aq i lehtë. Nuk kishte energji të madhe. Nuk kishte forcë. Mund të tërhiqej kollaj, sepse ishte me të vërtetë i lehtë. Kishte astmë. Me të vërtetë nuk mund të vraponte shumë. Ai nuk ishte kurrë i shpejtë dhe kurrë nuk do të të mundte për ritmin. Shikoje lojtarë të tjerë dhe mendoje se Scholes nuk kishte cilësitë fizike për të qenë futbollist. Edhe te ekipi I të rinjve nuk luajti shumë ndeshje. As që merrej në konsideratë. Në vitin e parë, në 1992, ai nuk kishte luajtur as edhe një here të vetme”.
Për 19 vite, ai nuk e hoqi kurrë më fanellën e Manchester United, duke u bërë një nga interpretusit më të mirë në rolin e tij në Europë për brezin e tij. Mesfushor ‘box to box’, i aftë të ndërthurte një filtër mbrojtës me një gjeometri perfekte në fazën e vendosjes, por mbi të gjitha me një goditje të jashtëzakonshme nga distanca.
Mbërritën kështu, 11 Premier League, 2 Champions League, 7 Charity Shield, një Kupë Interkontinentale dhe një Kupë Bote për Klube. Sidoqoftë, çmimet më domethënëse janë ato që rrjedhin nga fjalët e kundërshtarëve. Një ‘përbindësh i shenjtë’ si Zidane është shprehur kohë më parë: “Doni të dini se çfarë ndjesie është të jesh mesfushori më i fortë në botë? Nuk ke pse të më pyesësh mua, pyet Paul Scholes”.
“Po të ishte spanjoll, ndoshta do të ishte marrë më shumë në konsideratë. Po flasim për mesfushorin më të mirë të 20 viteve të fundit, sigurisht më të kompletuarin”, rrëfeu Xavi, një interpretues tjetër i mrekullueshëm në rolin e mesfushorit te Barcelona e ‘alienëve’.
Një udhëheqës i heshtur, i aftë të drejtojë një grup kampionës: 152 gola dhe 73 asistime, një nga mesfushorët më të frytshëm.
Më 15 qershor 2011, vendimi për të thënë mjaft me futbollin e luajtur e la Sir Alex Ferguson të hutuar, i cili vendosi ta thërriste atë përsëri në punë disa muaj më vonë për habinë e të gjithëve.
“Pse Djajtë e Kuq duhet të thërrasin një plak për të luajtur? Sepse ai plak është mesfushori më i fortë anglez i 20 viteve të fundit”, shpjegoi trajneri skocez në atë kohë.
Në sezonin vijues vendosi të ndalet përfundimisht, duke vulosur një karrierë të ngjyrosur vetëm në nuancat e ‘Djajve të Kuq’, madje edhe me koston e refuzimit të telefonatave prestigjioze. Ashtu si ai i Interit, zbuluar nga personi i interesuar pas 20 vjetësh:
“Një herë mora një telefonatë nga një agjent, ishte agjenti i vjetër i Bryan Robson. Ai më thirri ndërsa isha në Euro 2000 për të më pyetur nëse isha i interesuar të shkoja te Inter, kjo është e vetmja telefonatë që kam pasur. Asnjëherë nuk ishte e nevojshme të mendoja për Barcelonën, Real Madridin ose Milanin sepse unë isha tashmë në klubin më të madh në botë. Por nëse do të duhej të largohesha nga United do ta kisha bërë atë vetëm për Barcelonën ose Milanin”.
Sot Scholes është trajner i ekipit të qytetit të tij të lindjes, Salford City, i cili luan në League Tëo (divizioni i katërt anglez): kjo është përvoja e dytë e vërtetë në stol për legjendën e United pas periudhës së shkurtër në Oldham Athletic. Të mësosh futbollin aty ku filloi gjithçka: të shpjegosh se si një fëmijë i dobët astmatik u bë legjendë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




