PD ankimoi vendimin, Byroja e Kuvendit lë në fuqi përjashtimin e 6 deputetëve! Bylykbashi: Antikushtetuese

Byroja e Kuvendit ka rrëzuar ankimimin e 6 deputetëve të PD dhe lënë në fuqi përjashtimet e tyre nga seancat parlamentare.
Më herët deputetët e përjashtuar të PD ankimuan vendimin e Kuvendit për përjashtimin e tyre me argumentin se “u mor në kundërshtim me Rregulloren duke shkelur nenin 70/1, 79/1, 73/1 të Kushtetutës”.
Byroja e Kuvendit ka lënë në fuqi vendimin për përjashtimin e deputetes Lindita Metaliaj me 5 ditë, Greta Bardeli 3 ditë, Edmond Spaho 10 ditë, Oerd Bylykbashi 10 ditë, Elda Hoti 10 ditë dhe Sorina Koti 10 ditë.
Vendimin e Byrosë, deputueti demokrat Oerd Bylykbashi e ka cilësuar këtë vendim antikushteteuse.
“Vendimi i byrosë, kemi kërkuar që ai vendim që përjashtoi deputetët, të anulohet si antikushtetues, i paligjshëm dhe në shkelje të të drejtave. Me një vendim fashist parlamenti i Shqipërisë, përsëri përjashtoi deputetë të Parlamentit nga pjesëmarrja në komisione dhe seancë. Mbi 20 deputetë janë përjashtuar në mënyrë të vazhdueshme vetëm sepse kërkojnë një të drejtë kushtetuese në emër të shqiptarëve, kontrolli i qeverisë”, tha ai.
Bylykbashi shtoi se opozitës po i hiqet e drejta e të kërkuar hetimin e kryeministrit Rama për çështjen McGonigal duke “vrarë pluralizmin në vend”.
“Kërkojmë që të hetohet në themel e gjithë afera e pistë e Edi Ramës me McGonigal, që synon shkatërrimin e demokracisë në Shqipërisë. Këtë kemi kërkuar ne dhe për këtë të drejtë kushtetuese deputetët e opozitës janë përjashtuar. Kemi vendosur që të mos ketë seanca normale në Kuvend pa u garantuan e drejta kushtetuese e shqiptarëve”, tha Bylykbashi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




