PD e Berishës vendos që me 3 mars të zhvillojë protestën e rradhës, në të njëtën ditë me gjyqin për vulën

Politikë | 4 vite më parë

Ditën kur Gjykata e Apelit e Tiranës, pritet të marrë vendimin se kush do të drejtojë dhe përfaqësojë zyrtarisht PD-në në të ardhmen, PD e Sali Berishës ka informuar se do të zhvillojë protestën e ardhshme kombëtare.

Duket se lënia e kësaj date për protestë, ditën kur pritet të shprehet gjykata, nuk është aspak e rastësishme. Vendimi i Apelit pritet të jetë edhe përfundimtar për të përcaktuar se kush do të marrë “vulën“ e PD-së.

Data 3 mars, nga ana tjetër, shënon edhe momentin se partive politike u mbeten vetëm 3 ditë kohë për t’u regjistruar në zgjedhje. Çështja e “vulës“ ka krijuar ngërç edhe në KQZ, lidhur me listat e komisionerëve të PD. Çështja në Apel do të shqyrtohet nga Elona Mihali, e cila do të jetë gjyqtare relatore, ndërsa anëtarë janë gjyqtarët, Irida Kacerja e Astrit Kalaja.

Në rastin se Apeli lë në fuqi vendimin e gjyqtarit Zhukrit, do të jetë Berisha ai që do të marrë kontrollin e PD-së edhe zyrtarisht, si dhe do të futet në zgjedhjet vendore me kandidatët e dalë nga Primaret.

Në rastin se Apeli do të rrëzojë vendimin e Zhukrit, do të jetë Alibeaj ai që do të hyjë në zgjedhje me logon e PD-së dhe kandidatët e tij.

Nëse vendimi nuk është në favor të Berishës, grupi i tij mësohet se ka dhe një plan B për t’u futur në zgjedhje, nën siglën e partive aleate.

Pra, do të përsëritet skenari i zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit, në të cilat ai bashkëpunoi me LSI- PDK, të cilët krijuan koalicionin “Shtëpia e Lirisë” dhe u futën në garë me kandidatët e zgjedhur nga ky koalicion.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme