PD hap fushatën, Bejko: Berisha futi Metën në mënyrë të pabesë në gjirin e demokratëve, thikë pas shpine

Kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës, Roland Bekjo, në hapjen e fushatës elektorale, u ndal te kundërshtarët politikë, ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i PL-së, Ilir Meta. Ai akuzoi Berishën për “pabesi” ndaj demokratëve, teksa tha se futi “në gjirin” e tyre Ilir Metën
“Si mund të pranoja që demokratët në Tiranë të përfaqësoheshin në këto zgjedhje nga një “non grata” nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, i izoluar nga perëndimi. Si mund të pranonim që të përfaqësoheshin nga një socialist si Ilir Meta, demokratët nuk e meritojnë një poshtërim të tillë. Jemi këtu që PD të mos rrëshqasë në duart e një autokrati lindor dhe grabitqari politik si Ilir Meta. Sali Berisha e ka futur Metën në mënyrë të pabesë në gjirin e demokratëve që ai votat e tij t’i marrë e t’i çojë te pazari i Ramës, siç ka bërë gjithmonë. Një thikë pas shpine që i ka futur demokratëve Sali Berisha. Kjo është pabesia më e madhe politike që i ka bërë demokratëve”, tha Bejko.
Ndonëse pranoi se kjo garë elektorale nuk do të jetë e lehtë, ai u shpreh besimplotë se PD do të dalë “me kokën lart” nga këto zgjedhje.
“Unë pranova të kandidoja në këtë garë sepse besoj fort se ne do te dalim me kokën lart dhe fitues. Unë kam besim te ju dhe të gjithë njerëzit e ndershëm të Tiranës, se ne mund ta shporrim Erion Velinë nga zyra që ka zaptuar. Jam i ndërgjegjshëm që nuk është një betejë e lehtë, por ai që beson, në fund fiton. Dhe unë besoj te suksesi ynë i përbashkët që fillon nga Tirana”, tha Bejko.
Bejko ironizoi edhe premtimet e kandidiatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi, duke i konsideruar “premtime utopike”.
“Vizioni im për Tiranën, vizoni ynë për Tiranën, nuk bazohet te premtime utopike me autobusa falas apo me dy milion pemë, por te një vizon realist dhe tërësisht i mundshëm. Një vizion qartësisht i djathtë ku në thelb janë vlerat më të mira njerëzore si merita, konkurrenca, morali politik, ndershmëria. Ku në qendër të këtij vizioni janë identiteti, kultura dhe historia e Tiranës. Ky është një vizion totalisht i kundërt me dy alternativat majtiste që kemi përballë. Në fakt, ne mund ti premtonim qytetarëve të Tiranës jo vetëm autobusë falas, por edhe një euro për çdo person që merrte transportin publik, apo nga një pemë në çdo shtëpi, por ne jemi njerëz serioz. Ne e shikojmë politikën dhe qeverisjen me seriozitet dhe ndershmëri, dhe jo me mashtrime populiste që si beson askush”, tha Bejko.
Ai renditi 15 premtime, duke përmendur teksa zero për sipërmarrjet kulturore dhe artistike, apo individë, ndërtimin e 5 tregjeve në pikat hyrëse të Tiranës, krijimin e tre zonave të lira ekonomike, Kërraba, Arbana dhe Ndroqi, transport publik të kronometruar, etj..
Pikat e programit të Bejkos:
Arsimi para universitar dhe universitar: Krijimi i infrastrukturës për të pritur në Tiranë deri në 250 mijë studentë deri në 2030.
2. Arsimi parashkollor: Kopshte dhe çerdhe funksionale, sipas parimit jo më tepër se 15 min larg
3. Arti. Zero taksë bashkiake për organizatat artistike dhe individët e pavarur që organizojnë aktivitete kulturore në Tiranë.
4. Bujqësia. Ç’ monopolizim i tregut ushqimor. Hapja e 5 tregjeve në pikat hyrëse të Tiranës dhe promovim i ushqimit të ‘Kilometrit 0’.
5. Ekonomia. Tre zona të lira ekonomie në zonën e Krrabës, Arbanës dhe Ndroqit, për fuqizimin e ekonomisë së Tiranës.Inicim, ligj i ri për Tiranën.
6. Kujtesa: Shpallja muze e burgut 313, vend i vuajtjes së vuajtjet të dënimit. Vila 31 e Enver Hoxhës do të shpallet qendër edukimi dhe informimi për kujtesën.
7. Mjedisi. Afrimi i normave evropiane mjedisore mbi ndotjen e ajrit dhe ujit deri në fund të mandatit.
8. Strehimi. Mundësi strehimi për të gjithë. Luftë çmimeve të larta të banesave. Ulje e taksës lokale nga 12% në 5% ndaj ndërtuesit. Transparencë për ndërtimet në Tiranë.
9. Shëndetësia. Kujdesi shëndetësor jo më larg se 15 minuta nga banesa e qytetarit. Rikonceptim shërbimit spitalor.
10. Taksa për të gjithë por të ulëta. Përgjysmim me 50% të taksave aktuale. Eliminim i gjysmës së tarifave dhe ulje të informalitetit.
11. Turizmi. Turizëm gjatë gjithë vitit dhe i shumëllojshëm. Pesë vite zero taksë për sipërmarrjet turistike, bujtinave, start up, etj.
12. Transporti. e-Transport. Biletë unike elektronike, pra s’ka radhë. Formatimi i stacioneve të kronometruara.. 5 parkime të mëdha publike në hyrje të Tiranës, mbi dhe nën tokësore.
13. Territori. Do të bëhet zonim i Tiranës, zona rekreative, industriale, shërbime spitalore dhe sportive. Përqendrimi i kullave me infrastrukturë të përshtatshme në bulevardin e ri.
14. Sporti. Krijim i abonesë bashkiake për sportin. Subvencionim dhe abonime për aktivitetet sportive, e mundur për të gjithë qytetarët.
15. Trashëgimia: Shpallja monument kulture i katër zonave, zona e trashëgimisë otomane, e paraluftës, e komunizmit dhe shpallja muze e ansamblit arkitekturor qendra
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




