PD-ja zyrtare me 2 vula paralele, Bardhi: Vendimi i kryesisë është anti-statutor

Politikë | 3 vite më parë

Pas betejës politike dhe ligjore me Sali Berishën se kush do të mbante vulën e partisë, tani kjo betejë po zhvillohet mes grupit që, në atë kohë, mbështeti vendimmarrjen e zotit Basha.

I ndarë në dy pjesë, që mbështet dhe nuk mbështet rikthimin zyrtar të Bashës në PD-në zyrtare, debatet kulmuan sot, kur mbështetësit e zotit Basha, me një vendim të pazakontë dhe të debatueshëm, i hoqën të drejtën e mbajtjes dhe përdorimit të vulës Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi.

Dhe pyetja që mbetet është se: kush e ka vulën? Gazment Bardhi e vlerëson vendimin antistatutor.

“Vulën e kanë institucionet e PD, ato institucione që statuti i ka ngarkuar me kompetenca dhe detyra statutore. Sipas statutit, protokollimi, arkivimi, administrimi i vulës dhe me radhë është e drejtë e Sekretarit të Përgjithshëm. Kryesia e partisë nuk ka asnjë kompetencë lidhur më këtë çështje. “- u shpreh zoti Bardhi për emisionin “Pa Censurë”, pasi 15 anëtarë të kryesisë vendosën për t’ia dhënë këtë detyrë Sekretarit Zgjedhor.

“Kjo nuk është betejë kush mban vulën.“- thotë Gazment Bardhi, i cili ka një këndvështrim tjetër për çështjen. 

“Beteja që po bëj nuk bëhet as për vulë, as për karrige. Ia kam lënë të tjerëve këtë. Beteja ime është që PD të mos shkojë nga një përçarje në një përçarje tjetër, që e zvogëlon PD. Proceset që lidhen ngushtë me interesat e një individi as nuk i kam mbështetur, se nuk i mbështes. ”- u shpreh ai, duke u treguar i sigurtë se procesi i 29 Korrikut është i pavlefshëm.

“Kushdo mund të kryejë procese që janë jostatuore. Mund t’i kryejë në shtëpi, në kafe.  Ajo që di unë është se në 29 korrik nuk ka zgjedhje për kryetar të PD për sa kohë nuk ka një vendim të Këshillit Kombëtar. Pastaj, kushdo mund t’i vendosë një kurorë vetes dhe të thotë se është “Mbreti i Anglisë”, të thotë se është kryetar i partisë, por kryetar partie bëhesh sipas rregullave të bashkëjetesës që përcaktohen në statut. Kushdo është i lirë të vetëshpallet çfarë ka dëshirë, e rëndësishme është se çfarë është statutore, çfarë është e ligjshme.”- tha ai për emisionin “Pa Censurë”.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme