PD, Lulzim Basha: Zgjedhjet në Serbi u manipuluan nga Presidenti

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në mbledhjen e Këshillit të Evropës, deklaroi se ka pasur shkelje masive dhe parregullësi në zgjedhjet në Serbi, siç tregohet, sipas tij, nga raporti paraprak i OSBE-së, ku thuhet se u dominuan nga përfshirja vendimtare e Presidentit, i cili, së bashku me avantazhet sistemike të partisë në pushtetit, krijoi kushte të pabarabarta.
Sipas Bashës, konkurrenca e padrejtë, anësia e medias dhe blerjet e votave ishin disa nga parregullsitë serioze që ndodhën gjatë këtyre zgjedhjeve, siç deklaroi edhe misioni i vëzhguesve zgjedhorë.
“Qytetarë nga shtete të tjera, si Bosnjë dhe Hercegovina, u transportuan për të votuar në Beograd, ndërsa shqiptarët u hoqën nga listat e votuesve. Serbia vazhdon diskriminimin etnik dhe spastrimin e heshtur duke pamundësuar rreth 8 mijë shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc marrjen e dokumentave, e duke i privuar ata nga e drejta e votës dhe aksesi në shërbime publike përmes pasivizimit të adresave.”, tha Basha.
Sipas tij, këto parregullësi, të bëra publike nga vëzhguesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Parlamentit Europian dhe OSBE-ODIHR, u ndoqën nga një fushatë sulmesh nga politikanët e partisë në pushtet dhe media e kontrolluar nga ata.
“Dhuna brutale kundër liderit të një partie të opozitës, Nikola Sandulovic, thjesht sepse u përul para varrit të një vajze 7-vjeçare të vrarë pranë familjes Jashari në Prekaz, duhet të kumbojë kudo si një dëshmi e një fushate intimidimi dhe ndëshkimi, kjo nga një vend që kërkon anëtarësim në BE.”, tha Basha.
Sipas tij, në Ballkanin Perëndimor, autokratët shpesh janë toleruar në manipulimin e zgjedhjeve, me shpresën e vagullt dhe të rreme për të ruajtur stabilitetin në këmbim të demokracisë dhe sundimit të ligjit.
“Tani përballemi me pasojat e kësaj qasje të dështuar: viktimat e para janë demokracia dhe sundimi i ligjit. Në fund, stabiliteti është i kërcënuar nga autokratët populistë, që kërkojnë strehim nga dështimet e tyre në aventurat ultra-nacionaliste. Sulmi terrorist në Banjskë ende nuk është zbardhur, ndërsa Serbia refuzon të ekzekutojë urdhrin e Interpolit për Milan Radoicic, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Nëse Serbia nuk ka asgjë për të fshehur, pse e mbron atë? Serbia vazhdon të sabotojë dhe të kërcënojë sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë e Mal të Zi, me një strategji të mbështetur nga Moska, që synon të stimulojë konfliktin në Ballkanin Perëndimor, për të devijuar vëmendjen nga lufta e saj e paligjshme e pushtimit kundër Ukrainës.”, tha Basha.
Sipas tij, një hetim ndërkombëtar i plotë në parregullësitë e zgjedhjeve serbe dhe mbrojtja e standardeve zgjedhore, gjithashtu në vende të tjera në Ballkanin Perëndimor që përballen me çështje zgjedhore dhe mungesën e sundimit të ligjit, janë imperative.
“Pa zgjedhje demokratike dhe sundim të ligjit, nuk ka siguri, nuk ka stabilitet, nuk ka mirëqenie, as ëndërr europiane për popujt e Ballkanit Perëndimor.”, tha Basha në KiE.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




