PD, Vokshi: Kemi bërë 200 denoncime në KQZ për krime zgjedhore

Partia Demokrati deklaroi se ka referuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mbi 200 denoncime zyrtare, në lidhje me “krime zgjedhore”.
Drejtuesja e Task-forcës për monitorimin e zgjedhjeve PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore, Albana Vokshi, nëpërmjet një deklarate për shtyp tha se janë referuar mbi 30 kallëzime zyrtare në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe në Prokurorinë e Përgjithshme.
“Të gjitha dëshmitë që na kanë ardhur dhe janë verifikuar nga strukturat e Partisë Demokratike i janë referuar KQZ-së, pranë së cilës kemi bërë denoncime zyrtare, mbi 200 denoncime zyrtare, dhe po ashtu i kemi referuar edhe strukturës speciale të krijuar në bashkëpunim me SPAK-un dhe Prokurorinë e Përgjithshme. I kemi referuar mbi 30 kallëzime zyrtare. Por gjithashtu kemi bërë edhe denoncime në faqen e portalit të publikuar nga ana e SPAK-ut”, tha Vokshi.
Sipas saj, SPAK-u duhet t’i marrë në shqyrtim të gjitha rastet e denoncuara.
“Dua të vë në dukje faktin që në 2 ditët e fundit portali ka rënë. Ne nuk kemi mundur ta përdorim në këto 2 ditë për të parë dhjetëra denoncime që na kanë ardhur nga ana e qytetarëve dhe strukturave të Partisë Demokratike. Kemi përdorur e-mailin e vënë në dispozicion vetëm për informacion shtesë. Shpresoj shumë që SPAK-u t’i marrë në shqyrtim të gjitha rastet e denoncuara”, tha Vokshi.
Sipas saj, gjetjet kryesore të raporteve, me përmbledhje, tregojnë se që nga muaji mars deri në ditët e fundit, është vënë re përshkallëzimi i blerjes së votës.
“Të gjitha raportet tregojnë një rritje të ndjeshme të rasteve të blerjes direkte të votës, veçanërisht në zonat rurale apo në komunitetet e varfra”, tha Vokshi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





