PE nënvizon rëndësinë e përshpejtimit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE

Politikë | 3 vite më parë

Parlamenti Evropian ka nënvizuar rëndësinë e përshpejtimit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Kjo është bërë e ditur nga anëtarët e delegacionit të PE të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, të cilët ndodhen në Parlamentin shqiptar.

Delegacioni është pritur në një takim të veçantë nga kryetarja Lindita Nikolla.

Gjatë takimit ajo vlerësoi mbështetjen e dukshme dhe të fuqishme të Parlamentit Evropian për integrimin evropian të Shqipërisë dhe nënvizoi se, “kjo mbështetje i ka paraprirë strukturave të tjera të BE-së.”

“Anëtarësimi në BE është një objektiv kombëtar, mbipartiak dhe vijon të gëzojë mbështetje mbarëpopullore, më shumë se në të gjitha vendet e tjera të e rajonit. Kuvendi, qeveria, institucionet dhe qytetarët e Shqipërisë kanë vetëm një plan A për të ardhmen e vendit, që është anëtarësimi në BE. Ne e pranojmë me krenari që jemi vendi më proevropian i rajonit” tha zonja Nikolla. 

Sipas saj një vit nga data e çeljes së negociatave dhe mbajtja e Konferencës së parë Ndërqeveritare në korrik 2022, Shqipëria ka bërë hapa bindës drejt anëtarësimit. “Kryesimi i Procesit të Berlinit përgjatë vitit 2023 po rrit prestigjin dhe kontributin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon. Kuvendi i Shqipërisë është i vendosur për të garantuar legjitimitetin demokratik të procesit të integrimit, bashkëpunimin mes maxhorancës dhe opozitës dhe karakterin gjithëpërfshirës, nëpërmjet bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe faktorë te tjerë jopolitikë”, theksoi Nikolla.

Kryetari i Delegacionit, Manolis Kefaloiannis, dhe anëtarët e delegacionit vlerësuan arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit, sidomos pas çeljes së negociatave, të cilat përmenden edhe në raportin e miratuar para pak ditësh, vlerësuan ecurinë mjaft pozitive të procesit të screening, avancimin e reformave dhe nënvizuan rëndësinë e përshpejtimit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme