Peleshi në Ministerialin e NATO-s: Në 2024 Shqipëria i dedikon mbrojtjes 2% të GDP! E patolerueshme futja e forcave serbe në Kosovë

Situata në Kosovë ka qenë një nga temat që ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka folur gjatë Ministerialit të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s që po mbahet në Bruksel.
Ministri kërkoi që 3 policët e Kosovës që u kapën nga forcat serbe të lirohen dhe të kthehen në shtëpinë e tyre, ndërsa shtoi se forcat ushtarake apo policore të Serbisë nuk kanë të drejtë të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.
Ministri Peleshi kërkoi gjithashtu që NATO duhet t’i japë një rendësi edhe më të madhe rajonit të Ballkanit dhe se situata në veri të Kosovës duhet të shikohet me prioritet nga Aleanca. Peleshi siguroi vendet aleate se Shqipëria në vitin 2024 do të dedikojë 2% të GDP-s për mbrojtjen.
“NATO duhet të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e FSK-së si një institucion themelues që do të garantonte siguri për të gjithë qytetarët. Njohja e Kosovës dhe integrimi i saj euroatlantik janë hapa të rëndësishëm drejt garantimit të stabilitetit të qëndrueshëm në rajonin tonë. Aleanca duhet t’i japë rëndësi rajonit të Ballkanit”, tha Peleshi.
Gjithashtu ministri dënoi edhe sulmet e dhunshme të serbëve në veri ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës
“Ne mbështesim plotësisht mandatin e KFOR-it dhe punojmë intensivisht me aleatët për të parandaluar një përshkallëzim të situatës, duke kontribuar në të njëjtën kohë për lehtësimin e dialogut Prishtinë-Beograd”, u shpreh ministri në Bruksel.

Peleshi shprehu gatishmërinë e Shqipërisë jo vetën në mbështetje të Ukrainës por edhe proceset transformuese të NATO-s në përballje me sfidat që lidhen me sigurinë duke rritur edhe më tej kontributin e Shqipërisë në misionet e Aleancës.
“Mbështesim propozimin e ri për formimin e Këshillit NOTO-Ukrainë, i cili tregon vendosmërinë e palëkundur si Aleancë, duke zbatuar standardizimin e NATO-s në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë. Ne mbështesim Modelin e përmirësuar të forcave të NATO, po përshtatim sistemin e gatishmërisë dhe do të kontribuojmë në zbatimin e planeve duke përshtatur praktikat tona dhe vendosur në dispozicion infrastrukturën kritike si ajo e Bazës së Kuçovës dhe Portin e Porto Romano”, u shpreh ministri Peleshi.
Gjatë punimeve të Ministerialit të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s në Bruksel, ministri Peleshi zhvilloi dhe takime informale me përfaqësuesit e industrisë së mbrojtjes si dhe u takua me homologët të vendeve të ndryshme, ku u diskutua për çështje në interes të rritjes dhe bashkëpunimit në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




