Pengu më i ri i marrë nga Hamasi, Kfir Bibas bën sot 1 vjeç. Ende nuk dihet asgjë mbi fatin e tij

Botë | 3 vite më parë

Fytyra e foshnjës Kfir Bibas që prej sulmit të Hamasit më 7 tetor është tashmë e njohur në të gjithë botën. Foshnja është pengu më i ri i marrë nga Hamasi dhe sot feston 1-vjetorin, por ende nuk dihet asgjë mbi fatin e tij.

Një foshnje e qeshur me lodrën e tij të preferuar në dorë është imazhi i fundit që familjarët kanë për të. Kfir Bibas është më i riu nga 253 pengjet e marra në Gaza nga Hamasi, i cili u rrëmbye së bashku me prindërit e tij Yarden dhe Shiri, dhe vëllain e tij katërvjeçar Ariel.

Miqtë dhe të afërmit e familjes zhvilluan një ceremoni të vogël duke përkujtuar ditëlindjen e Kfirit, ndërsa luten për lirimin e pengjeve.

“Kfir Bibas nuk është armiku i Hamasit. Hamasi nuk ka asnjë rregull. As Kurani nuk lejon dëmtimin e fëmijëve. Hamasi po thyen të gjitha rregullat e Islamit,” tha për CNN Jimmy Miller, kushëriri i familjes së rrëmbyer.

Nuk është e qartë nëse Kfir dhe familja e tij janë ende gjallë. Dy djemtë dhe nëna e tyre nuk u liruan nga Gaza gjatë armëpushimit të përkohshëm në fund të nëntorit, pavarësisht faktit se marrëveshja e rënë dakord midis Izraelit dhe Hamasit kërkonte që të gjitha gratë dhe fëmijët të liroheshin.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit besojnë se familja po mbahej peng nga grupe të tjera milicie dhe jo nga Hamasi. Nga ana tjetër Hamasi pretendon se foshnja dhe familja e tij u vranë në një sulm ajror izraelit në Gaza.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme