Përdorimi korrekt i gjuhës shqipe/ Akademia e Trajnimeve, seminar me gazetarët e RTSH

Akademia e Trajnimeve në Radio Televizionin Shqiptar organizoi me stafin e gazetarëve seminarin me temë “Përdorimi korrekt i gjuhës shqipe”.
Lektoret e RTSH-së, Elona Qose dhe Arta Marku, vunë në dukje problematikat jo të pakta që vihen re në formulimin e një lajmi në Televizion, Radio dhe Ueb.
“Për një media, për RTSH-në në këtë rast, përveç zërit dhe figurës, gjuha është mjeti kryesor i përçimit të mesazheve dhe është shumë e rëndësishme që të përdoren në mënyrën e duhur, në mënyrën e saktë,” tha Elona Qose.
Në pjesën e parë të trajnimit, theksi u vu te ndërtimi i fjalive, rregullat e drejtshkrimit, si dhe përdorimi i shenjave të pikësimit.
“Të gjithë shkruesit ose kumtuesit e lajmit, e formulojnë menjëherë fjalinë jo shqip dhe kjo më duket e çuditshme. Anglishtja ka ndikuar ndjeshëm. Sigurisht është vlerë që të njohësh gjuhë të huaj, por gjithmonë pasi të njohësh shqipen,” u shpreh Arta Marku.
Ky ishte trajnimi i parë në vazhdën e trajnimeve të organizuara nga Akademia e RTSH-së, që lidhet drejtpërdrejt me përdorimin e saktë dhe të drejtë të gjuhës shqipe.
Ky trajnim synon jo vetëm rritjen profesionale të punonjësve në realizimin e produktit radioteleviziv, por edhe si model për t‘u ndjekur në gjuhën e shkruar dhe të folur.
Gazetare: Heriselda Dyrmishi
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




