Përfiton nga amnistia penale, lirohet ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj

Ish kreu i bashkisë Fran Frrokaj,u dënua në muajin tetor të vitit 2022 me 3 vite burg për veprën penale shpërdorim detyre, për tjetërsim pronash tek Rana e Hedhun në Shëngjin.
“Uroj që askush të mos e provojë eksperiencën e burgut,” tha Frrokaj për gazetarët pasi doli nga ambinetet e burgut të Reçit, ku vuante dënimin me 2 vite burg për veprën penale shpërdorim detyre.
Më herët Frrokaj përfitoi 1/3 ulje të dënimit, pasi pranoi gjykimin e shkurtuar, me 1 vit e 4 muaj burg, ndërsa për pesë vite ai s’do të ketë të drejtë të ushtrojë funksione publike.
Fran Frrokaj u dënua fillimisht me 4 vite burg, por vendimi u kundërshtua nga ky i fundit dhe Prokuroria e Apelit, të cilët bënë rekurs në Gjykatën e Lartë. Frrokaj kërkonte pafajësinë, ndërsa Prokuroria pretendonte se nuk ishte zhvilluar si një proces i rregullt ligjor, pasi kishte shkelje procedurale.
Tjetërsimi i tokës te Rana e Hedhun
Në vitin 2017 një qytetar denoncoi se toka e tij rezultonte në Hipotekë në emër të disa familjeve të tjera. Prokuroria zbuloi një sipërfaqe të madhe toke prej 234 mijë metrash katrorë tokë në zonën e Ranës së Hedhun që ishte përfituar përmes falsifikimit të dokumenteve.
Bashkia Lezhë dhe Këshilli i Qarkut Lezhë “nëpërmjet shkresave përkatëse zyrtare, pavarësisht se në realitet (tokat) janë mal dhe ranishte i kanë konfirmuar si toka të kategorisë “Arë” dhe “Pemëtore”. Sipas vendimit për sekuestrim parcelat ishin regjistruar në emër të personave që nuk kishin të drejtë të përfitonin tokë në atë zonë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




