Përfundon misionin në Shqipëri, kryeparlamentarja Nikolla takon shefin e OSBE-së, Vincenzo Del Monaco

Me rastin e përfundimit të misionit në Shqipëri, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka pritur sot në një takim kryetarin e Prezencës së OSBE-së, ambasadorin, Vincenzo Del Monaco.
Sipas njoftimit për shtyp nga Kuvendi, kryeparlamentarja Nikolla ka vlerësuar ambasadorin si një mik i mirë dhe partner të spikatur, si dhe ka shprehur mirënjohje për kontributin në zgjerimin e bashkëpunimit mes Kuvendit dhe Prezencës së OSBE-së për avancimin dhe thellimin e reformave, në mënyrë të veçantë të reformës zgjedhore dhe reformës administrative-territoriale.
“Gjatë misionit tuaj në Tiranë, bashkëpunimi mes Kuvendit dhe Prezencës së OSBE-së u intensifikua dhe krijuam një kulturë të re bashkëpunimi, për zbatimin e projekteve e procedurave parlamentare, duke rritur “pronësinë” e kontributit të Kuvendit dhe shërbimeve parlamentare në këtë bashkëpunim. Kjo kulturë e re ka rritur transparencën e veprimtarisë parlamentare dhe qëndrueshmërinë e projekteve e programeve të bashkëpunimit.”,- ka deklaruar Nikolla.
Ambasadori Del Monaco, nga ana e tij, ka falenderuar kryeparlamentaren Nikolla për vizionin e saj në drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë, si dhe bashkëpunimin me Prezencën e OSBE-së.
Zyra e shtypit e Kuvendit informon se për vlerësimin e lartë të këtij bashkëpunimi,ambasadori vuri në dukje se Prezenca dhe Kuvendi janë nisur nga qëllimi i përbashkët për të rritur kontributin e Parlamentit në shërbim të zhvillimit të vendit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




