Përjashtimi i 19 deputetëve nga Kuvendi, Berisha: Akt i rëndë, provokim për shqiptarët

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar sot nga dritarja e shtëpisë së tij nga ku zhvillon edhe protestën e përditshme ndaj përjashtimit me 10 ditë të 19 deputetëve opozitarë nga seancat plenare.
Sipas Berishës, ky është një akt i mirëfilltë diktatorial pasi sipas tij, ata po denoncojnë aferat e kryeministrit Edi Rama.
“Sot, parlamenti Rama-Linda, parlamenti i turpit që nuk ka ekzistuar kurrë që nga koha e diktaturës, përjashtoi në një akt turpi, në një akt të mirëfilltë diktatorial, në një akt të vërtetë frike, 19 deputetë, përfaqësues të popullit opozitar, përfaqësues tuaj, vetëm e vetëm se ata po qëndrojnë siç po qëndroni ju këtu në emër të të vërtetës.
Po qëndrojnë në një betejë me të cilën duan të sjellin para jush në dritën e diellit, të gjitha krimet e shëmtuara, vjedhjet monstruoze të Edi Ramës”, u shpreh Berisha duke folur para mbështetësve të tij që ishin mbledhur poshtë shtëpisë në rrugën “Mustafa Matohiti”.
Berisha tha se ky është një provokim i rëndë ndaj çdo qytetari që beson pluralizmin politik në vend.
“Sot, Linda e parlamentit, një turp i gatshëm për të shkatërruar Shqipërinë për Edi Ramën, zbatoi urdhrin e padronit të saj Edi Rama dhe përjashtoi njësoj si të ishte Bjellorusia e Lukashenkos, edhe aty nuk ndodh kjo, 19 deputetë, përfaqësues të popullit opozitar.
Ky është një akt, një provokacion i rëndë për çdo qytetar që i beson pluralizmit.
Atyre që rëndom në mënyrë të neveritshme shtrojnë pyetjet se përse po bëjnë këtë në parlament, u them këtyre mjeranëve se një deputet në SHBA mund të bllokojë pa u përjashtuar ditë të tëra parlamentin”, u shpreh Berisha.
Më herët ditën e sotme, Sekretariati i Etikës në Kuvendin e Shqipërisë vendosi përjashtimin me 10 ditë të 18 deputetëve të PD-së nga seancat plenare dhe me 20 ditë të deputetit Ervin Salianji për shkak se kanë bllokuar punimet e Kuvendit dhe Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore.
Deputetët të cilët janë përjashtuar nga punimet e Kuvendit janë Albana Vokshi, Sorina Koti, Elda Hoti, Lindita Metaliaj, Isuf Çela, Tritan Shehu, Lefter Gështenja, Helidon Bushati, Xhelal Mziu, Edmond Spaho, Oerd Bylykbashi, Ervin Salianji, Samir Korreshi, Kasem Mahmutaj, Ramadan Likaj, Kastriot Piroli, Qani Xhala, Lodovik Hasani dhe Luan Baçi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



