Përkujtimi i Holokaustit, presidenti Meta: Shqipëria, i vetmi vend në Evropë, që s’humbi jetën asnjë hebre

Presidenti shqiptar Ilir Meta ka shprehur krenarinë që Shqipëria është i vetmi vend ku nuk humbi jetën asnjë hebre. Në 76-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit, në një postim të tij zoti Meta theksoi se të gjithë vendet e tjera duhet të marrin shembull nga Shqipëria.
Postimi i presidenti Ilir Meta
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës, u bashkohem lutjeve për miliona viktima të pafajshme të mizorisë së Holokaustit dhe për të gjithë ata, të cilët i mbijetuan tragjedisë më të tmerrshme njerëzore të kohërave tona dhe janë sot dëshmitarë të gjallë të saj, për të na inkurajuar, që të mos lejojmë KURRË MË të tilla gjenocide e akte çnjerëzore. Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë, ku nuk humbi jetën asnjë hebre dhe askush prej tyre nuk iu dorëzua pushtuesve nazistë, duke dalë nga ajo periudhë e errët, me një popullsi hebraike më të madhe në numër nga ç’kishte para fillimit të Luftës. Ndihemi jashtëzakonisht krenarë dhe e gjithë bota duhet të ndjekë shembullin frymëzues shqiptar dhe Kodin tonë të nderit e të mikpritjes BESA! I lumtur, që sot Shqipëria dhe Izraeli ndajnë të njëjtat vlera të paqes, lirisë dhe demokracisë dhe janë bashkërisht të angazhuara në luftën ndaj terrorizmit dhe antisemitizmit, për promovimin e tolerancës, bashkëjetesës dhe përkujtimit të Holokaustit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




