Përparim dhe përçarje në Bruksel, arrihet dakordësia për dosjet kyçe, por “plasin” ndasitë për paratë e QFO-së 2028-2034

Ekonomi | 4 muaj më parë

Njëzet e shtatë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje të rëndësishme politike në nivel të Përfaqësuesve të Përhershëm (“Coreper”), duke zhbllokuar tre nga dosjet kryesore legjislative që lidhen me strukturën e ardhshme financiare të bllokut. Ky kompromis i hap rrugën miratimit zyrtar të tyre në mbledhjen e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme (GAC) të martën e ardhshme.

Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, takimi konfirmoi një mbështetje të gjerë për tekstet e negociuara nën udhëheqjen e Presidencës Qipriote. Dosjet e miratuara përfshijnë Rregulloren e Planeve Kombëtare dhe Rajonale të Partneritetit (NRPP), Fondin Evropian të Konkurrencës (ECF) dhe kapitullin “Evropa Globale” që rregullon veprimin e jashtëm të Bashkimit Evropian.

Shpërthejnë divergjencat për buxhetin e ri 2028-2034

Pavarësisht suksesit me tri dosjet specifike, atmosfera u tensionua sapo vendet anëtare nisën diskutimin fillestar mbi “kutinë negociuese” (negotiating box) – kuadrin e përgatitur nga Presidenca Qipriote për të udhëhequr debatin mbi madhësinë dhe prioritetet e Kuadrit Financiar Agregate (QFO) për periudhën 2028-2034.

Gjatë këtij shkëmbimi të parë të opinioneve dolën në pah përçarje të thella dhe linja të ndryshme strategjike mes delegacioneve. Shumë shtete anëtare u pozicionuan prerazi kundër çdo pakësimi të burimeve të përgjithshme financiare të BE-së. Disa vende anëtare vuri theksin te roli qendror dhe i patjetërsueshëm që politika e kohezionit ka në modernizimin e ekonomive evropiane. Një pjesë e delegacioneve bëri thirrje për një debat më intensiv rreth krijimit të burimeve të reja të veta të të ardhurave për bllokun. Në kahun e kundërt, disa delegacione e cilësuan masën e përgjithshme të buxhetit të propozuar si të tepërt dhe kërkuan një përmbajtje më të madhe të shpenzimeve globale.

Diskutimet e nxehta mbi “kutinë negociuese” do të rifillojnë të martën në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme, ku ministrat e jashtëm ose të çështjeve evropiane do të tentojnë të afrojnë qëndrimet, përpara se dosja t’u kalojë për shqyrtim krerëve të shteteve dhe qeverive në samitet e ardhshme të udhëheqësve evropianë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme