“Përpjekje që ia ka vlejtur për një fitore historike”, Çuçi: Vlora po shkon drejt zyrtarizmit pa kthim me 9 mandate

Zgjedhje 2025 | 1 vit më parë

Partia Socialiste në qarkun Vlorë është duke fituar 9 mandate teksa po vijon ende procesi i numërimit të votave të diasporës.

Drejtuesi politik i PS në këtë qark, Bledi Çuçi ka reaguar me një mesazh falënderimi për votuesit, strukturat e PS-së, diasporën, komisionerët, numëruesit dhe skuadrën e kandidatëve.

“Bashkë me pritjen e bukur e shpresëplotë të konfirmimit zyrtar për mandatin tonë të nëntë teksa vijon numërimi i votave të diasporës, kam disa fjalë zemre për mbi 53 mijë votues në Vlorë, Sarandë, Himarë, Selenicë, Delvinë, Konispol e Finiq.”

Duke falënderuar për mbështetjen e dhënë, Çuçi shprehet inkurajues përgjatë këtij rrugëtimi sfidues për Shqipërinë europiane.

“Mirënjohje për të gjithë strukturat e Partisë Socialiste, për anëtarët, simpatizantët e aktivistët tanë, kryetarët e organizatave, kryetarët e bashkive dhe këdo tjetër që u përfshi në një fushatë të shkëlqyer, plot energji e frymëzim për ëndrrën tonë europiane. Thellësisht mirënjohës edhe bashkatdhetarëve tanë në diasporë, që konfirmuan me votë Partinë Socialiste si të vetmen forcë transformuese, që ka sjell progres, që i dha kuptim kohës shqiptare dhe që i ngriti kokën Shqipërisë në sytë e botës mbarë. Faleminderit komisionerëve dhe numëruesve për të gjithë përkushtimin dhe seriozitetin e treguar përgjatë këtij procesi.”-theksoi ai.

Së fundmi, jo për nga rëndësia, shprehet Çuçi, “falënderoj me zemër të gjithë skuadrën tonë të kandidatëve në qarkun Vlorë. E çmoj shumë të gjithë punën tuaj për të mbledhur çdo votë, për të maksimizuar rezultatin për Partinë Socialiste dhe për të krijuar një shumicë të zëshme nga Novosela në Konispol.”

“E gjithë kjo përpjekje ia ka vlejtur teksa ne po shkojmë tashmë pa kthim drejt zyrtarizmit të një rezultati historik në qarkun Vlorë, me plot 9 mandate për Partinë Socialiste. Deri atëherë kur të mbarojë së numëruari edhe vota e fundit nga diaspora, përqafime të gjithëve dhe faleminderit.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme