Përplasja/ Basha: Jeni përçarë në 7 grupime. Teliti: Ne jemi shumica e PD

Dorian Teliti, Këshilltar për çështjet ekonomike në PD dhe gazetarja Anila Basha janë përfshirë në një debat mbrëmjen e kësaj të enjte (25 janar) në emisionin “3D” në RTSH.
Lidhur me kërkesat e PD-së së Rithemelimit për ndryshimin e përbërjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore, Teliti tha se duhet të pranohen kërkesat e tyre dhe jo ato të grupimit të Lulzim Bashës, pasi ata përbëjnë shumicën.
Nga ana tjetër, gazetarja Basha tha se brenda PD-së nuk janë 2 grupime, siç pretendohet, po 7.
Debati:
Teliti: Të gjithë eksponentët e PD kanë thënë që në momentin që ngrihen Komisionet Hetimore dhe opozitës i jepet ajo që i takon në Komision e Reformës Zgjedhore, Parlamenti kthehet në normalitet.
Basha: Është Alibeaj opozitë apo jo?
Teliti: Patjetër, të gjithë opozitë janë
Basha: Po a është aty me Damian Gjiknurin?
Teliti: Këtë do maxhoranca
Basha: Jo këtë do maxhoranca, a është opozitë ai apo jo?
Teliti: Opozitë pra është
Basha: Po a është ai aty në Komision, a e ka zgjedhur Basha atë, a e ka Basha vulën e PD-së? Se këtu ngatërrohet te lidershipi. Lidershipi PD çalo, fillojeni te vetja njëherë
Teliti: Unë e thash që e kemi debatin e brendshëm
Basha: Po zgjidhni këtë problem pastaj i dilni për ballë atyre
Teliti: Këtë nuk e ka mohuar njeri, e thash vetë. Ne kemi një debat 2 vite e gjysmë që e ka dëmtuar PD
Basha: Po kë po i çon përballë qeverisë?
Teliti: Në momentin që kemi 2 realitete brenda opozitës, 47 deputetë i janë drejtuar Kuvendit që thonë duam të rishikojmë skemën e funksionimit të Komisionit hetimor. Në momentin që kemi dy grupime brenda opozitës që nuk e gjejnë gjuhën me njëri-tjetrin, këtu hy arsyetimi i aritmetikës
Basha: Ma shpjego si hyn aritmetika? Hyn aritmetika apo hyn ligji, statuti i partisë, Kushtetuta…
Teliti: Ti do bësh konstatim apo pyetje? Unë nuk e humbas fillin, kot mundohesh të ndërhysh
Basha: Jo mo nuk po të nxjerrë nga filli, ti më thua aritmetika, por nuk funksionon aritmetika në këtë rast. S’mundet ligjërisht
Teliti: Në momentin që ke dy grupime brenda PD që nuk bien dakord për përfaqësimin në Komision e Reformës Zgjedhore, në këtë moment, siç funksionon shteti që qeveriset nga kush ka marrë një votë më tepër, ashtu do bëhet
Basha: Po nuk e vendos maxhoranca këtë kush është grupi më i madh te PD, është Basha apo Berisha?
Teliti: Po prandaj deputetë kanë reaguar sot. Brenda PD që ka sot 2 grupimet e veta
Basha: Keni 7 i kam numëruar unë
Teliti: 27 numëro ti, secili ka mendjen e vet
Basha: Ne jemi opinionistë
Teliti: Po prandaj po të them, ti bëj pyetje ose konstatim
Basha: Nuk kemi ardhur vetëm për pyetje, por edhe konstatime se nuk jemi te konferenca e shtypit këtu
Teliti: Në momentin që nuk gjendet gjuha dhe të dy palët duan bashkëkryetarin, në këtë moment rregulli i demokracisë është kush ka një votë më tepër
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




