Përshkallëzohen protestat e nxënësve në Francë, kryeministri thërret mbledhje urgjente

Europë | 46 minuta më parë

Kryeministri i Francës, Sébastien Lecornu, ka thirrur një mbledhje urgjente dhe u ka kërkuar ministrave të kabinetit të anulojnë të gjitha udhëtimet e planifikuara zyrtare, për shkak të përhapjes në të gjithë vendin të protestave të nxënësve të shkollave të mesme, të cilat në disa raste kanë degjeneruar në dhunë.

Demonstratat nisën javën e kaluar në shkollat e Parisit dhe janë zgjeruar me shpejtësi. Nxënësit shprehin pakënaqësi ndaj mungesës së burimeve dhe mjeteve mësimore, orareve të gjata dhe problemeve të tjera në sistemin arsimor.

Përplasjet me forcat e rendit kanë çuar në qindra arrestime të protestuesve të rinj.

Autoritetet raportojnë për dhjetëra të plagosur, si pasojë e objekteve të hedhura nga turma, por edhe nga mjetet e përdorura nga policia për kontrollin e trazirave.

Protestat po shndërrohen me shpejtësi në një temë kryesore debati në kuadër të fushatës për zgjedhjet presidenciale të majit të ardhshëm, ku do të zgjidhet pasuesi i Presidentit Emmanuel Macron, i cili me kushtetutë e ka të ndaluar të kërkojë një mandat të tretë radhazi.

Kjo situatë po rrit gjithashtu presionin mbi qeverinë, e cila përballet me probleme të rënduara financiare.

Kandidati i së majtës radikale për president, Jean-Luc Mélenchon, e ka dënuar reagimin e qeverisë duke e quajtur atë represiv.

Ndërkohë, kritikët e kanë akuzuar partinë e Mélenchon-it se po përpiqet të shfrytëzojë trazirat për të fituar pikë politike në fushatë dhe se po nxit dhunën.

Zyra e Kryeministrit Sébastien Lecornu bëri të ditur se u është kërkuar ministrave të anulojnë vizitat zyrtare të ditëve të ardhshme, me qëllim që autoritetet dhe forcat e policisë të përqendrohen plotësisht në menaxhimin e situatës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme