Plani franko-gjerman: A do zgjidhen mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi?!

Rajon | 4 vite më parë

Propozimi fronko-gjerman, për një kornizë të re dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, e që është mbështetur edhe nga SHBA, po diskutohet gjërësisht në mediat në Ballkan. 

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç thotë se plani sugjeron anëtarësimin e Kosovës në OKB, pa kundërshtim nga Serbia, ndërsa Beogradi në këmbim do të marrë më shumë fonde nga BE dhe rruga drejt anëtarësimit në bllok do të përshpejtohet. 

Ndërkohë në Kosovë thuhet se propozimi e sheh zgjidhjen e çështjeve ndërmjet qarqeve në disa faza. Ai parashikon njohjen e Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së që aktualisht nuk e bëjnë këtë, Spanja, Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia, me Serbinë që thjesht pranon se ekziston, në vend që ta njohin atë zyrtarisht. 

Por a ekziston sinergjia e nevojshme midis dy palëve për të zgjidhur mosmarrëveshjet? Sipas medias Euractiv plani franko-gjerman paraqet një pamje krejtësisht të ndryshme nga sa thuhet. 

Në vend të njohjes dhe afateve të përcaktuara, ky draft fokusohet në normalizimin e marrëdhënieve nga perspektiva e një të ardhmeje të përbashkët të BE-së, ku elementi më kritik është shkëmbimi i misioneve të përhershme, të ngjashme me ambasadat, por në një nivel më të ulët. 

Në këtë propozim në nenet kryesore sipas Euractiv thuhet se  Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën bazuar në të drejta të barabarta. 

Dy vendet do të udhëhiqen nga aspiratat e tyre reciproke për anëtarësim në BE. Ato do të zgjidhin mosmarrëveshjet në përputhje me Marrëveshjet e Stabilizim Asociimit. 

Vendet riafirmojnë paprekshmërinë tani dhe në të ardhmen e kufirit që ekziston mes tyre dhe marrin përsipër të respektojnë plotësisht integritetin territorial të njëri-tjetrit. 

Kosova dhe Serbia do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme.  Bazuar në diskutimin e deritanishëm, në Samitin e Procesit të Berlinit javën e kaluar, kryediplomati i BE-së Josep Borrell paraqiti “një propozim palëve për të bërë përparim konkret dhe të pakthyeshëm në rrugën drejt normalizimit gjithëpërfshirës”, i cili u mbështet nga Gjermania dhe Franca. 

Megjithatë, zhvillimet e javës së kaluar janë perceptuar kryesisht si kontradiktore. Nga njëra anë, një atmosferë pozitive në konferencën e Ballkanit Perëndimor në Berlin, nga ana tjetër, ndezja e tensioneve midis Beogradit dhe Prishtinës, për ceshrjen e targave dhe  dorëheqjen masive të përfaqësuesve serbë në polici, gjyqësor dhe institucione të tjera. 

Zyrtarët e BE tani shqetësohen se përshkallëzimi i fundit, si dhe kërcënimet nga Beogradi, mund të paraqesin një pengesë në rrugën drejt çdo lloj marrëveshjeje midis dy palëve. 

Beogradi dhe Prishtina gjatë verës patën premtuar të takohen të paktën një herë në muaj në Bruksel në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE, por një gjë e tillë nuk ndodhi dhe nuk ka gjasa të ndodhë thuhet në publikimin e Euractiv për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme